“Do të jetë sfidë e bukur kundër Depajit”, De Vraj harron Interin e Kontes: Ky ekip është më i fortë sesa ai

by admin
Spread the love

Stefan De Vraj është një nga lojtarët më të vjetër në skuadrën e Interit dhe ka kaluar disa etapa të ndryshme. Ai ka qenë pjesë e ekipit të Spaletit dhe fitoi titullin kampion me Konten, por mendon se kjo skuadër është më e mira dhe më e forta.

Duket sikur ju përgatisni gjithçka me detaje. Edhe djemtë që kapin topin duhet të jenë të shpejtë…

Është e vërtetë. Unë i këshilloj shpesh që ta dorëzojnë topin shpejt dhe nga një rivënie anësore arritëm që të gjenim një gol kundër Salernitanës. Çdo detaj është i rëndësishëm në futboll.

A është ky Inter më i forti në të cilin ju keni luajtur?

Po. Mendoj që po. Vjen nga një rrugëtim i gjatë disa vjeçar dhe të gjithë janë përmirësuar dhe rritur. Pastaj kur ke një kohë të gjatë që luan me njëri-tjetrin është diçka e bukur. Është kënaqësi që jam pjesë e kësaj skuadre.

Rrallë kemi parë një skuadër italiane që të luajë futboll kaq mirë. A jeni dakord?

Mendoj se ky Inter ka bërë mirë në vitet e fundit. Jemi përmirësuar shumë. Ndonjëherë luajmë me symbyllur sepse e dimë të gjithë çfarë duhet të bëjmë.

A është diferenca me Juventusin fotografia reale e forcës së Interit?

Është ende garë e gjatë. Duhet të shohim në fund se ku do të jemi renditur. Ka ende ndeshje, por jam krenar me skuadrën për mënyrën se si qaset në ndeshje dhe i merr shtruar një nga një të gjitha.

Si është aspekti psikologjik në prag të ndeshjes me Atletikon duke parë që ju nuk luani shumë?

Fizikisht jam shumë mirë. Është normale që kur luan shpesh të kesh më shumë ritëm, nëse jo bëhet e vështirë. Por unë jam një nga ata lojtarë që punoj shumë në stërvitje për të qenë gjithmonë gati.

Është më e vështirë të markosh Depajin apo Grizmanin?

Janë të dy lojtarë shumë të fortë. Memfisin e njoh edhe nga kombëtarja dhe e di shumë mirë se sa i vështirë është për t’u markuar. Do të jetë një sfidë shumë e bukur.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Atletikos. Mendoni se në Champions mund të bëni ashtu si vitin e kaluar?

Mendoj se ashtu si vitin e kaluar do t’i marrim ndeshjet një nga një. Atletiko është një skuadër e fortë dhe që luan mjaft mirë. Duhet të jemi të përqendruar për këtë sfidë.

E prisnit që Turam të ishte kaq lojtar cilësor dhe të bënte menjëherë diferencën?

Po. Kishim luajtur me të edhe si kundërshtar. E dimë mjaft mirë se sa i fortë është ai dhe e ka treguar menjëherë në fazën përgatitore të kampionatit. Kualiteti i tij ishte i dukshëm. Tani po shënon me vazhdimësi dhe po na jep një dorë në këtë fazë të sezonit. Jemi të lumtur që e kemi në skuadër.

Mendoni se pjesa e parë e vështirë në Romë ju ka ndihmuar për të ndryshuar marshin?

Nuk mendoj se u futëm në fushë me mendjelehtësi apo duke menduar diçka tjetër. Thjesht rivali bëri më mirë. Roma luan mirë dhe është normale që të vuash. Ne kërkojmë gjithmonë që të luajmë ndeshje pozitive.

PANORAMASPORT.AL

You may also like