“Do goditen amerikanët”, alarmi: Lindja e Mesme, në rrezik të shpërthejë

by admin
Spread the love

Përshkallëzimi i sulmeve ndaj trupave amerikane dhe anijeve tregtare, si dhe fakti që incidentet shpesh përfshijnë Iranin dhe përfaqësuesit e tij, po ngjallin shqetësime të reja se lufta e Izraelit në Gaza mund të zgjerohet në një konflikt rajonal me pasoja të rënda politike dhe ekonomike.

Me personelin e shërbimit amerikan përherë e më shumë në një vijë të rrezikshme zjarri dhe me mjetet detare të SHBA dhe aleatëve në gatishmëri të lartë pas goditjeve të shumta me dron, situata e përkeqësuar po çon në një periudhë të tensionuar për Shtëpinë e Bardhë. Rritja e mundësisë së humbjeve në mesin e trupave amerikane dhe përkeqësimi i situatës së sigurisë nga Oqeani Indian deri në Detin e Kuq, e nga Iraku, Siria, Libani e Izraeli, përbën një krizë të re të padëshiruar sidomos përpara vitit zgjedhor në të cilin presidenti Joe Biden kërkon rizgjedhje.

Paralajmërimet e Izraelit se lufta e tij kundër Hamasit në Gaza do të zgjasë me muaj, pavarësisht presionit të SHBA-së për uljen e intensitetit të konfliktit, kërcënojnë sipas ekspertëve, të rrisin shanset që lufta të dalë jashtë kontrollit dhe ta tërheqe edhe më shumë Amerikën në vorbullën e saj. Ankthi fillestar se një luftë rajonale mund të shpërthejë pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit dhe nisjes së fushatës së tij të përgjakshme në Gaza, nuk u materializua menjëherë pavarësisht shkëmbimeve sporadike të zjarrit mes forcave izraelite dhe atyre të  forcave të Hezbollahut në Liban, i konsideruar si një nga frontet më të rrezikshme në zonë.

Megjithatë, ritmi i sulmeve dhe përshkallëzimi i situatës këto ditët e fundit e ka rikthyer frikën e një shpërthimi më të madh të tensioneve, cka u pa edhe tek urdhri i Bidenit për të sulmuar objekte të përdorura nga luftëtarët e milicisë pro-iraniane Kataib Hezbollah në Irak, të cilat SHBA-të i akuzuan për plagosjen e tre ushtarëve amerikanë në bazën ajrore të Erbilit.


Top Channel

You may also like