Dmytro Kuleba: Buça është vetëm maja e ajsbergut

by admin
Spread the love

“Ukraina e fitoi betejën për Kievin, por lufta vazhdon”, tha Dmytro Kuleba në një konferencë të përbashkët shtypi në Varshavë, kryeqytet i Polonisë, me homologen e tij britanike, Liz Truss.

Duke vënë në pah se vendi i tij po përgatitet për një ofensivë të re në shkallë të gjerë nga Rusia në Ukrainën Lindore, Kuleba tha se forcat ruse do të përpiqen të kapin më shumë territore në rajonet Donjeckut e Luhanskut dhe gjithashtu të marrin kontrollin e qytetit të rrethuar të Mariupolit.

“Tmerret që kemi parë në Buça, janë vetëm maja e ajsbergut të të gjitha krimeve që janë kryer nga ushtria ruse në territorin e Ukrainës deri më tani”, u shpreh ai.

Kuleba vazhdoi duke thënë “pa ekzagjerim dhe me dhimbje të madhe” se situata aktuale në Mariupol është shumë më e rëndë në krahasim me atë që ndodhi në Buça dhe rajone të tjera pranë kryeqytetit Kiev.

“Tmerret në Buça, Mariupol dhe rajone të tjera kërkojnë sanksione serioze të G7-s dhe Bashkimit Evropian. Perëndimi vazhdon ta furnizojë makinerinë luftarake ruse me pagesa për karburantet fosile ruse, me tregtinë që vazhdon ende ndërmjet Rusisë dhe vendeve perëndimore”, shtoi shefi i diplomacisë ukrainase.

  • “Valë e re sanksionesh të ashpra”

Nga ana e saj, Liz Truss tha se do të bëjnë presion për një “valë të re sanksionesh të ashpra” kundër Rusisë.

Ministrja e Jashtme britanike theksoi se Rusia duhet të goditet me sanksione të ashpra, “të nivelit maksimal” për mizoritë e kryera në Ukrainë, ndërsa nxiti aleatët evropianë që t’i shtojnë ato më tej.

Truss bëri thirrje për të furnizuar më shumë me armë Kievin, ndërsa kritikoi Perëndimin për derdhjen e parave në “makinerinë luftarake” të Presidentit rus, Vladimir Putin.

Ajo kritikoi “masakrën” në qytetin ukrainas duke cituar prova të përdhunimeve dhe vrasjeve pa dallim të civilëve në Buça, nga ku tashmë janë tërhequr trupat ruse.

Duke folur në Varshavë, Truss bëri me dije se kishte diskutuar me homologun e saj ukrainas, Dmytro Kuleba, për mënyrat sesi Britania e Madhe mund të ketë një qasje maksimale për të furnizuar me armë Ukrainën.

“Ideja se duhet të presim që diçka tjetër të ndodhë është krejtësisht e gabuar. Më e keqja tashmë ka ndodhur, ne kemi parë mizori të tmerrshme të kryera në Ukrainë me pandëshkueshmëri të plotë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, Rusia gjithashtu “nuk ka vend në Këshillin e të Drejtave të Njeriut (të OKB-së)”.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim ata që po vuajnë si rezultat i pushtimit të paligjshëm të Putinit në Ukrainë, duke përfshirë viktimat e dhunës seksuale dhe ata që kanë nevojë për mbështetje humanitare”, potencoi kryediplomatja britanike.

Pasi tërhoqi vëmendjen se Mbretëria e Bashkuar do të ndjekë anijet, bankat dhe arin e Rusisë, Liz Truss vijoi me këto fjalë: “Ne do të kërkojmë një plan kohor të qartë për të kufizuar importet tona të naftës, gazit dhe qymyrit rus. Të jesh i ashpër është e vetmja qasje që do të funksionojë. Putini e ka përshkallëzuar këtë luftë”, deklaroi ministrja e Jashtme britanike mes të tjerash.

Lufta që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022), është pritur me zemërim ndërkombëtar të madh, me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 1.430 civilë janë vrarë dhe 2.097 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i ofensivës së Rusisë ndaj fqinjit të saj perëndimor, sipas vlerësimeve të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), e cila dyshon se shifrat reale mund të jenë shumë më e lart, ndërkohë që më shumë se 10 milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës dhe mbi 4,24 milionë prej tyre janë arratisur në vendet fqinje.

You may also like