​Disa qytete ukrainase sulmohen rëndë nga Rusia, Avdivka kthehet në gërmadhë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Forcat ruse goditën disa qytete në Ukrainën lindore me sulme ajrore dhe zjarr artilerie.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës tha se disa qytete dhe qyteza në rajonin e Donjeckut u bombarduan rëndë.

Forcat ukrainase zmbrapsën disa sulme, tha Shtabi, derisa ushtria ruse vazhdoi përpjekjet e saj për të marrë kontrollin e Bahmutit.

Një komandant i lartë ukrainas akuzoi Moskën se përdor taktikat e “tokës së djegur”.

“Armiku kaloi në të ashtuquajturat taktika të tokës së djegur, që datojnë nga lufta e Sirisë. Ai po shkatërron ndërtesa dhe pozicione me sulme ajrore dhe zjarr artilerie”, tha gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, duke folur për Bahmutin.

Ai tha se Moska po dërgon forca speciale dhe njësi ajrore për të ndihmuar ofensivën në këtë qytet, pasi anëtarët e grupit mercenar rus, Wagner, të cilët kanë udhëhequr sulmin atje, janë të lodhur.

Beteja për qytetin e vogël të Bahmutit ka qenë më e përgjakshmja që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.

Të dyja palët kanë pasur numër të madh viktimash nga luftimet në Bahmut, ndërsa Syrskyi tha se “situata është e vështirë, por e kontrollueshme”.

Kontrolli i Bahmutit do t’i mundësonte Rusisë t’i sulmonte direkt linjat mbrojtëse të Ukrainës në Çasiv Jar dhe t’u hapte rrugë forcave të saj për të avancuar në dy qytete më të mëdha në rajonin e Donjeckut, Kramatorsk dhe Slloviansk.

Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se trupat e tij mund të tërhiqen nëse rrezikojnë të rrethohen.

Ushtria ukrainase tha se rusët, në 24 orët e fundit, sulmuan rëndë edhe qytetin Avdivka.

“Rusët e kanë kthyer Avdivkën në një gërmadhë totale”, tha Pavlo Kyrylenko, guvernator rajonal i Donjeckut, teksa përshkroi një sulm ajror që shkatërroi një ndërtesë shumëkatëshe.

“Në total, rreth 1.800 njerëz mbeten në Avdivka dhe ata rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre”, tha ai.


Top Channel

You may also like