Diplomacia kosovare në zbehje, analistët kërkojnë komunikim përmes kanaleve zyrtare e jo në rrjete sociale

by admin
Spread the love

Diplomacia
e Kosovës po shënon zbehje të vazhdueshme, qoftë në aktivitete, përfaqësim të
vendit apo edhe në fushën e politikave të kultivimit të marrëdhënieve me vendet
tjera, thonë njohësit e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, raporton
Ekonomia Online.

Sipas
tyre, viteve të fundit, Kosova ka shënuar një rënie me shërbimin e vet
diplomatik si dhe me aktivitetet diplomatike, kryesisht janë zhvilluar takime
shumë palëshe dhe takime në margjina të samiteve apo ato të formatit online.

Krahas
kësaj, ata kërkojnë që të forcohet edhe diplomacia digjitale pas gabimeve të
njëpasnjëshme të kryediplomatës në rrjetet sociale.

Profesori
i Integrimeve Europiane, Dritëro Arifi, për Ekonomia Online ka thënë se
politika e jashtme e Kosovës ka probleme substanciale. Ai konsideron se më
shumë duhet të komunikohet përmes kanaleve zyrtare e jo në rrjete sociale.

“Nëse
e shikojmë politikën e jashtme nga aspekti teorik i dokumenteve i strategjive
mund të themi që jemi mirë, jo shumë mire po jemi mirë. Por në rrafshin praktik
mund të themi që kemi probleme substanciale dhe ka skajshmërish ka një
amatorizëm. Shpesh herë i kemi pa qeveritarët, qeveria ndonjëherë komunikon me
disa komunikata përmes twitter-it, facebook-ut që nuk është normale për një
shtet serioz. Duhet të komunikohet në kanalet zyrtare dhe sa më pak në rrjete
sociale”, thotë ai.

Arifi
thotë se edhe rënia e indeksit të ekonomisë është një indikator në politikën e
jashtme, ai thotë se ne jemi vendi më i izoluar dhe se për këtë i bie
përgjegjësia qeverisë aktuale.

“Tash
kemi rënie në indeksin e ekonomisë së lirë dhe kjo është një indikator në
politikën e jashtme, se si na shohin të tjerët se çka po ndodh në Kosovë brenda
Kosovës. Jemi vendi më i izoluar në kontinentin e Evropës, kuptohet nuk është
vetëm faji i kësaj qeverie por po flasim për politikën e jashtme tash,
përgjegjësia i bie kësaj qeverie se çka po bën dhe çka duhet të bëjë në të
ardhmen e afërt. Si e sheh politikën e jashtme, a e kemi synimin tonë
integrimin në familjen euroatlantike, po si bëhen ajo domethënë kështu duhet të
shtrohet ky narracion por pa hakmarrje, pa gjuhën e urrejtjes që po e shoh çdo
ditë që ndonjëherë qeveria nuk po mundet të largohet nga e kaluara e saj dhe
kjo do të jetë një ndikim shumë i madh në fazën e ardhshme të politikës së jashtme
kurdo që fillojnë ta zhvillojnë”, u shpreh Arifi.

Dritëro
Arifi tutje tha se shteti ynë nuk po mund të dakordohet në mes vete e kjo po na
sjellë pasoja edhe me partnerët tanë.

“Ne
jemi shtet i vogël, nuk kemi fuqi as politike, as ushtarake e mos të flas për
ekonomike. Pra kjo bëhet në harmoni të plotë dhe në dakordim të plotë me
partnerët tanë, mirëpo për fat të keq kjo qeveri nuk e ka këtë kimi, këtë hap
që ka një dakordancë të madhe. Ne nuk po dakordohemi mes vete e mos të flasim
për partnerët tanë. Kemi një çakordim total me partnerët tanë sidomos në
politikat madhore se si Kosova duhet t’i zhvilloj. Ne nuk po jemi në gjendje që
ta bindim partnerin tonë më të rëndësishëm SHBA-në që ne jemi në rrugën e
duhur”, tha ai

Edhe
njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirlind Behluli thotë se politika e
jashtme e Kosovës nuk ka qenë e qartë, duke thënë se më shumë ka pasur
diplomaci të letrave. Ai konsideron se diplomacia kosovare më shumë ka pasur
takime shumë palëshe e në formatin online.

“Konsideroj
se përveç që nuk ka qenë mjaftueshëm e qartë politika jonë e jashtme, nuk ka
qenë edhe aq aktive. Kryesisht kemi parë këtë vit takime shumë palëshe edhe
takime në margjina të samiteve apo edhe takime në formatin online, por jo
takime të shumta në aspektin e takimeve bilaterale ose trelaterale.
Përgjithësisht ka pasur diplomaci online, diplomaci të letrave dhe diplomaci të
takimeve në margjina të samiteve”

“Mendoj
që përkundër kësaj e kemi pasur një iniciativë të mirë të Ministrisë së Punëve
të Jashtme, ajo është rekrutimi i ambasadorëve të rinj dhe të konsujve të ri.
Pra, përtej shkarkimeve besoj se ka pasur një hap të qëlluar në rekrutimin e
ekspertëve në rekrutimin e ambasadorëve të karrierës, dërgimin e ambasadorëve
të karrierës në diplomaci në ambasadat tona ku ekzistojnë. Pra, kemi pasur një
politikë siç e thash edhe më herët, një politikë të samiteve të takimeve
multilaterale por kemi pasur edhe një iniciativë të mirë në rekrutimin e
ambasadorëve dhe në marrjen e agremanit nga qeveritë e huaja për ambasadorët tanë”,
tha ai

Behluli
ka kërkuar që të emërohen ambasadorët e rinj në mënyrë siç thotë ai, të ketë
Kosova përfaqësim dinjitoz. Krahas kësaj, Behluli thotë se Kosova çalon edhe në
diplomacinë digjitale pas gabimeve të njëpasnjëshme të MPJD-së në rrjetin social
“Twiter”.

“E para dhe më e rëndësishmja është që të përfundohet procesi i rekrutimit të ambasadorëve të rinj sepse duhet të përfundoj sa më shpejtë në mënyrë që të kemi përfaqësim dinjitoz në vendet ku ekzistojnë ambasadat tona dhe konsullatat. E dyta të ketë një kujdes më të veçantë në aspektin e diplomacisë publike. Pra ne çalojmë, kemi parë në vitin e fundit se çalojmë në diplomacinë digjitale, kemi pasur shumë herë probleme me flamuj të gabuar, me komente të gabuara në Twitter e kështu me radhë. Pra duhet të krijojmë mekanizma që sigurojnë përfaqësimin dinjitoz të Kosovës edhe në diplomacinë publike dhe digjitale”, ka thënë Behluli për EO.

You may also like