Dikur në krah të Sali Berishës, Visar Zhiti flet për shpalljen e tij “non grata”: Nuk e dëshiroj! Situata në PD është shqetësuese

by admin
Spread the love

Shkrimtari dhe poeti i njohur, Visar Zhiti ka folur për vendimin e SHBA për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Si ish-demokrat dhe si qytetar, Zhiti tha se nuk e dëshiron një vendim të tillë për Berishën, dhe se e shqetëson.

Por, më tej, ai shtoi se demokracia që u krijua pas komunizmit, ishte “sa e ëndërruar, po aq e pabukur, po aq me shqetësime, edhe me mashtrime, zhgënjime, por ne i gëzoheshim lirisë, gëzoheshim që po zbulonim vetveten, që po krijonim një pronë, ishim të zhveshur. Kjo solli dhe një korrupsion galopant, një luftë politike të egër”.

PYETJA: Ju jetoni në SHBA, një vend që e ka shpallur “non grata” ish-kryeministrin Berisha, a mund të kem një koment për këtë dhe të gjitha zhvillimet në PD…

Zhiti: Është një pyetje e vështirë. Më vjen keq që ne i kërkojmë kujtdo, gjithçka. Kjo do specialistin, njeriun e dosjeve, të punës. Unë e çmoj seriozitetin institucional të SHBA, është etalon i demokracisë dhe lirisë botërore, i punëve serioze dhe punëve të mëdha, një pararojë e botës. Kuptohet dhe atje, në ecurinë e tyre, ka probleme, që ata i dinë dhe i ngrenë mes tyre. DASH është shumë serioz, duhet të mendosh thellë të thuash ‘e besoj apo jo’. Unë si qytetar dhe si pjesë e atij krahu të përvuajtur, që iu bashkua duke u thirrur më afër nga forcat demokratike, nuk e dëshiroj një gjë të tillë, më shqetëson si qytetar, por kam vështirë të jap një mendim, sepse nëse marrëdhëniet e mia personale me emrat që përmendet ju kanë qenë jo vetëm normale, por shumë të mira, edhe një bashkëpunim dinjitoz, nuk do të thotë se unë i di gjërat. Kritikat që ne kemi pasur si qytetarë të gjithë së bashku për demokracinë që po ndërtohej, natyrisht të bën të mendohesh, a ishte kjo demokracia që duhej, a ishte kjo ajo që ëndërruam. Ëndrra nuk arrihet kurrë, zotësi është të ëndërrosh, jo t’i arrish. Demokracia që ndërtuam ne ishte sa e ëndërruar, po aq e pabukur, po aq me shqetësime, edhe me mashtrime, zhgënjime, por ne i gëzoheshim lirisë, gëzoheshim që po zbulonim vetveten, që po krijonim një pronë, ishim të zhveshur. Kjo solli dhe një korrupsion galopant, një luftë politike të egër, një media në shërbim të pushtetit dhe anasjellas. Do të thosha që ka shpërdorim në demokracinë tonë.

Në ç’kushte e shihni ju sot PD, sa e dëmtuar është nga të gjitha këto që po ndodhin?

Zhiti: Aq sa mund të jetë shqetësuese dhe e rënduar gjendja, aq mund të mendohet lehtësuese dhe zgjidhëse. Pa një tronditje të tillë, gjërat ndoshta do të shkonin me ato pakënaqësi me ato gabime, dhe kur gabimi sjell gabimin krijohet kultura e gabimeve. Duhet shpëtuar nga kultura e gabimeve, PD është një pasuri kombëtare, pasuri e mëndesisë së shqiptarëve dhe e veprimit të shqiptarëve për të bërë një jetë ndryshe, për të bërë një vend ndryshe, një Atdhe ndryshe. Në dolëm nga një diktaturë, alarmante, nga një parti moniste, që prej makijazheve diti të bëjë lëvizjet e duhur, diti të bëjë edhe ndryshimet e duhura. Kurse PD erdhi si një klithmë e si një ëndërr që Shqipëria të bëhej sa më parë, euroatlantike. Nga do vinin këta demokratë, që do bënin këtë gjë. Kuptohet erdhën nga një e kaluar e përbashkët. Kuptohet unë kam frikë ta përsëris, që ne po ndërtonim demokracinë me armiqtë e demokracisë. Duhet të ndërtonim kapitalizmin me armiqtë e pronës private, ata që i kishin futur në burgje pasanikët, tani këta po bëheshin pronarë. Erdhi një liri, bashkë më shpërdorimin e kësaj lirie. Erdhi në demokraci bashkë me karikaturën e kësaj demokracie, ndoshta ishin të pashmangshme. Një tronditje e tillë, unë shpresoj që t’i bëjë mirë demokracisë në vend.

Pse po e dëmton z.Berisha …

Zhiti: Ndoshta janë ato bisturitë që hyjnë mbi trupin e sëmurë për të hequr tumorin. Me këtë nuk kam parasysh cili po i bën këtë aksion, kam parasysh aksionin në vetvete.

You may also like