Diagnoza e padëgjuar e adoleshentit me Alzheimer ‘të mundshëm’, shtang shkencëtarët (fotot)

by admin
Spread the love

Pacienti kishe probleme me të mësuarit dhe u detyrua të linte shkollën.

Një adoleshent që vuan nga probleme me kujtesën që në moshën 17-vjecare është diagnostikuar me Alzheimer “të mundshëm”, sipas një raporti të fundit.

Studimi mbi rastin e frikshëm është publikuar në revistën Journal of Alzheimer’s Disease.

Nëse diagnoza konfirmohet, adoleshenti tashmë 19-vjeçar do të ishte personi më i ri me këtë gjendje.

Pacienti fillimisht u identifikua me gjendjen kur kishte probleme me të mësuarit në shkollë dhe u detyrua ta linte atë.

Ai nuk mbante mend kur kishte ngrënë dhe ku ishin sendet e tij, duke i humbur shpesh ato, shkruan rrjeti kinez South China Morning Post (SCMP).

I riu nuk ka sëmundje të tjera, infeksione apo plagë në kokë, që mund të shpjegojnë problemet e tij me kujtesën, thuhet në studim.

As familjarët e tij nuk kanë precedentë me Alzheimer apo demencë.

Shkaqet e sakta të sëmundjes Alzheimer janë të panjohura, por gjendja degjeneruese prek të rriturit e moshuar dhe ka lidhje me akumulimin e dy proteinave në tru, të quajtura beta-amiloid e tau.

Studiuesit e universitetit mjekësor në Pekin thanë se nuk arrinin të vërenin këto proteina nga skanimet në trurin e 19-vjeçarit.

Ata gjetën nivele anormale, të larta të proteinës “p-tau181” në lëngun e trurit të pacientit, që ndodh zakonisht para se proteinat tau të formohen në tru.

“Në raport prezantojmë rastin e një 19-vjeçari me humbje graduale të kujtesës prej 2 vjetësh. Testimet tregojnë gjymtim të saj ndërsa lëngu cerebrospinal i pacientit tregonte rritje të përqendrimit të p-tau181”, thuhej në studim.

Alzheimer i hershëm është një formë e pazakontë e demencës që prek njerëzit nën 65 vjeç dhe ndodh në 10 përqind të rasteve të sëmundjes neurologjike.

Shkencëtarët thonë se njohin tre gene të lidhura me Alzheimer të hershëm, të cilat i quajnë presenilin 1 (PSEN1), presenilin 2 (PSEN2) dhe proteinën amiloide (APP).

Por në rastin e 19-vjeçarit nga Kina ata nuk kanë gjetur mutacione gjenetike në analizat e tyre.

“Misteri i të rinjve me Alzheimer është një sfidë serioze për mjekësinë,” thuhej në raport, sipas SCMP.