Dhjetë ekipet me rezultatet më të mira/ Askush si Leverkusen në Europë, ja përse po “dridhet” Bajerni

by admin
Spread the love

Fitorja magjike e Bajer Leverkusen në fushën e Lajpcigut ka “pushtuar” mediat botërore përsa i përket rrjedhës së lojës. Që në minutat e para të besuarit e Ksabi Alonsos pësuan gol, ndërsa pas reagimit, ata u deshën të gjendeshin sërish në disavantazh.

Edhe pse iu largua nga loja si rezultat i dëmtimit të “raketës” holandeze në krah, Zherëmi Frimpong, “aspirinat” gjetën kurajon për të përmbysur rezultatin në limite, të njëjtën tablo që dhuruan edhe në “përplasjen” me Augsburgun në javën e 16-të. Me suksesin në fjalë ka shkuar në 27 kuota e ndeshjeve që Leverkusen nuk e njeh humbjen në ciklin 2023-2024, e thënë ndryshe nuk ka pësuar disfatë në asnjë duel të këtij sezoni në të gjithë frontet ku ata kanë shkelur.

Në Bundesligë, Granit Xhaka me shokë grumbullojnë 48 nga 50 të mundshme, aty ku përmendet ndalesa e vetme kundër Bajernit të Mynihut, 2-2. Vetëm Bajerni i Pep Guardiolës ka bërë më mirë pas kësaj distance raundesh në kampionat (18 javë), pikë të plota në ciklin 2013-2014 (50 pikë). Rrjeta vendimtare e Hinkapi shfaqi edhe detaje interesante, golin e parë të mbrojtësit në etapën ekzistuese, çka do të thotë se kryesuesit e ligës gjermane janë të aftë për të bërë dëme nga çdo repart i fushës, si njohës të mirë përpara kuadratit mik.

Nëse tempi i Leverkusen vazhdon të mbajë të njëjtat “melodi”, misioni i bavarezëve për të mbrojtur titullin në ligë nuk ka asnjë shpresë. Ata, po ashtu, kanë mbrojtjen më të mirë në Bundesligë, me vetëm 14 gola të pësuar, kurse ekipi i Tomas Tuhel e ka nxjerrë sferën nga katërkëndëshi i tyre në 16 raste. Ja disa prej rivalëve më “seriozë” të “aspirinave” në Europë.

10 EKIPET

SFIDUESIT-PSV Einthoven në Holandë po përjetojnë moment historik, 24 fitore, 5 barazime dhe vetëm 1 disfatë në kuadrin e 30 prezencave. Shkallën më të ulët të kësaj kategorie në “podium” e mban Girona. Supriza në La Liga i ka befasuar të gjithë, të cilët rreshtohen me meritë si kryesues të ligës spanjolle, duke lënë pas shpine dy gjigantët botërorë, Real Madridin dhe Barcelonën.

Ekipi nga rajoni i Katalunjës është ndalur në 20 suksese, 4 takime të ndara në “paqe” dhe 1 duel i humbur, saktësisht karshi “galaktikëve” në të gjitha garat. Juventusi edhe pse në pozitën e ekipit “nënkampion” në statusin aktual Seria A, kanë të dhëna më të qëndrueshme se Interi në bazë të humbjeve. “Zonja e Vjetër” e ka përjetuar mposhtjen vetëm një precedent, kurse zikaltrit në dy të tilla. “Artileria” e yjeve të Karlo Ançelotit klasifikohet e 5-ta në renditjen e më të mirëve të Europës.

Andërleht, Fenerbaçe dhe Sporting Lisbonë janë befasitë e top 10-tëshes. Liverpuli identifikon klubet angleze, ndonëse në Ishull konkurrenca është në nivele të jashtëzakonshme, 3 sfida të humbura në 32 paraqitje, shto 6 barazime ku “reds”-at kanë zbarkuar në fushën e blertë.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

You may also like