Dëshmitari thotë se Salih Mustafën e ka takuar në javët e para të prillit në fshatin Butovc

by admin
Spread the love

Gani Sopi është dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Salih Mustafës, i cili po dëgjohet nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Aty, Sopi ka folur për periudhën e parë të vitit 1999 dhe takimet me Salih Mustafën, çka sipas tij, ata janë takuar në fshatin Butovc në javët e para të muajit prill.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë i interesuar për strehimin dhe sigurimin e ndihmave të nevojshme për civilët.

Sopi ka thënë se në fund të marsit të vitit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, bashkë me civilët janë larguar nga Prishtina për në fshatin Butovc, ku ka theksuar se është edhe vendlindja e tij.

Tutje, ai ka thënë se në strehimin e civilëve në fshatin Butovc ka kontribuar edhe Salih Mustafa.

“Gjatë asaj kohe që kemi pasur strehimin, vendosjen, shumë ka kontribuar edhe Salih Mustafa, me të cilin shpeshherë jam takuar dhe kemi biseduar dhe më ka thënë që vërtetë të ndihmohet popullata, të u bëhet strehimi, të u sigurohet ushqimi, të u sigurohen barnat”, ka thënë Sopi.

Me Salih Mustafën ai ka thënë se është njohur që prej daljes së Mustafës nga burgu dhe sipas tij kjo ka ndodhur përmes vëllait të tij, Mustafë Sopit i cili kishte qenë profesor i Salih Mustafës.

Gani Sopi ka thënë se ka qëndruar në Butovc deri më 13 qershor të atij viti ndërsa ka theksuar se ai i ka raportuar vëllait të tij, Mustafë Sopit.

“Muaji prill është bukur i rëndë për mua personalisht, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe gjithë atë zonë që ka qenë e Gollakut. Është e vërtetë që e kam takuar në fillim të prillit në javët e para të prillit Salih Mustafën në Butovc. Arsyeja ka qenë se ka qenë Bajram, e para, e dyta, ka qenë ky shumë i lidhur me vëllanë, profesorin e vet, dhe ka ardhur me vizitu në Butovc por gjithashtu ka ardhur me pa edhe popullatën e cila ishte e shumtë në Butovc dhe për me pa se si janë vendosur, si janë organizuar, si janë strehuar, si po grumbullohet ushqimi e shumë çështje të tjera”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se me Mustafë Sopin e Salih Mustafën kanë dalë disa herë në pika vëzhguese meqë, sipas tij, ushtria e policia serbe ishin të pozicionuar jo larg vendndodhjes së tyre në fshatin Butovc.

Sopi ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë në Butovc me rroba civile duke theksuar një xhaketë ngjyrë të gjelbër, duke shtuar se Salih Mustafa kishte qëndruar në shtëpinë e Mustafë Sopit.

Sopi i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafa është mik e bashkëluftëtar i tij dhe ka shtuar se me të ka edhe lidhje familjare meqë mbesa e tij është bashkëshortja e Mustafës.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte./KP

 

You may also like