Demokracia perëndimore është më e dobët në këtë Luftë të Re të Ftohtë, sesa në të parën

by admin
Spread the love

Nga Rafael Behr

“The Guardian”

Bota është ndarë edhe një herë në sfera konkurruese të fuqive lindore dhe perëndimore. Por a është kjo një Luftë e Re Ftohtë apo një relike e ringjallura nga lufta e fundit? Përgjigja është pak nga të dyja. Për Vladimir Putin, rivaliteti midis superfuqive të shekullit XX-të nuk mbaroi kurrë, edhe pse në aspektin ekonomik dhe ushtarak kishte një fitues të qartë dhe nuk ishte Bashkimi Sovjetik.

Presidenti i Rusisë është i vendosur që ta hakmerret për atë poshtërim, të paktën në imagjinatën kombëtare. Në fusha të tjera, trajektorja është në një rënie të mëtejshme. Rusia mund të përbëjnë ende një shqetësim global. Një shtet diktatorial i armatosur me armë bërthamore, dhe me një oreks për zgjerim territorial nuk mund të injorohet.

Por barazia me SHBA-në është një kujtim i largët për Kremlinin. Për Kinën një destinacion që shihet në horizont. Ky ndryshim është konteksti thelbësor i vizitës këtë javë të Xi Jinping në Moskë. Propaganda e Kremlinit e përshkruan samitin si konsolidim të një partneriteti.

Por ky është një trillim në funksion të egos së lënduar ruse. Presidenti kinez nuk është miku i Putinit. Ai i sheh gjërat nga pozitat e klientit. Pushtimi i Ukrainës ishte një gabim epik. Para këtij hapi, Putini kishte shumë opsione. Ai kishte një ndikim të rëndësishëm në Perëndim, për shkak të varësisë së këtij të fundit nga energjia ruse.

Tani ai është një kriminel lufte i paditur në Hagë, që po ua shet shumë lirë naftën vendeve që nuk u binden sanksionet perëndimore, teksa po financon mercenarët e Grupit Vagner. Pra Putin nuk është aq i izoluar sa mendojnë se SHBA dhe BE.

Narrativa e deformuar e Moskës mbi luftën në Ukrainë si një produkt i agresionit të NATO-s ka ndikuar tek opinioni në vendet e Hemisferës Jugore, sidomos në vendet ku është e njohur arroganca ushtarake perëndimore.

Për të tjerët, e gjitha kjo është një grindje evropiane pa ndonjë imperativ të qartë moral ku duhet mbajtur anë. Kjo krijon një grup klientësh për tregtinë e Rusisë, aleanca jo shumë të qëndrueshme, dhe akoma më pak një model koherent të zhvillimit ekonomik dhe politik për të rivalizuar demokracinë liberale.

Pavarësisht ideologjisë së vjetruar, Bashkimi Sovjetik pretendonte se përfaqësonte diçka më të lartë sesa interesat e një vendi. Komunizmi ishte një fe globale. Putinizmi nuk ka një pretendim të tillë. Ai është një hibrid banal midis kleptokracisë dhe nacionalizmit gjakatar. Kjo nuk do të thotë se atij i mungojnë fansat jashtë shtetit. Shqetësimi i presidentit rus lidhur me fluiditetin gjinor që po shkatërron familjen tradicionale, ka një audiencë të madhe nga e djathta ekstreme në SHBA dhe Evropë.

Kremlini e përforcon ndikimin e tij duke përhapur informacione të rreme në rrjetet sociale perëndimore dhe përmes parave të pista të investuara në fushatat zgjedhore. Kjo e bën Putinin një mbret të propagandës për njerëzit që ndihen të hidhëruar nga mbizotërimi i liberalizmit social në vendet e tyre.

Por në Rusi nuk ka asgjë që mund të përshkruhet si një model për qeverisjen. Plaçkitja e burimeve natyrore, mbytja e zërave kundër dhe shtypja e minoriteteve e kanë bërë vendin më të dobët dhe më të varfër. Edhe këtu ndryshimi me Kinën është shumë i rëndësishëm.

Partia Komuniste Kineze e ka shoqëruar diktaturën me dinamizmin industrial në mënyra që u konsideruan të pamundura nga demokratët triumfues në fundin e Luftës së Ftohtë. Teoria ishte se kalimi nga ekonomia marksiste do të kërkonte fundin e kontrollit të monopolit shtetëror.

Kjo do të fuqizonte një klasë të mesme të pasur private, e cila më pas do të kërkonte të drejtat e pronës, sundimin e ligjit dhe lirinë politike. Pra demokracia dhe kapitalizmi ishin një pako e pandashme. Po ashtu interneti pa kufij do ta bënte teknikisht të pamundur kontrollin shtetëror të biznesit individual nga lart-poshtë.

E gjithë kjo ishte një vetëkënaqësi naive. Një brez pas masakrës së Sheshit Tiananmen, ju nuk mund të lexoni më për të në shfletuesit kinezë të internetit. Ndërkohë, konsumatorët perëndimorë çmenden për TikTok, platformën e një kompanie me seli në Pekin.

Ndoshta përplasja vetëm sa është shtyrë. Një shpërthim i papritur i protestave kundër bllokimeve anti-Covid në fund të vitit të kaluar, tregoi se sa pak dimë realisht për tensionet që vlojnë nën fasadën e sundimit të hekurt të Partisë Komuniste.

Ndërkaq shpërtheu “flluska” e pasurive të paluajtshme, duke shkaktuar një tkurrje të papritur ekonomike, hedhur poshtë një mit qendror në doktrinën e Xi, sipas të cilit autokratët janë menaxherët më të mirë të ekonomisë.

Argumenti është se në një demokraci liderët detyrohen të kënaqin tekat e votuesve kapriçiozë, që kërkojnë kënaqësitë e menjëhershme, ndërsa sundimtari i përjetshëm në një autokraci i planifikon gjërat për një afat më të gjatë strategjik. Por gjërat nuk funksionojnë asnjëherë në këtë mënyrë.

Mbyllja e gojës së atyre që mendojnë ndryshe, i privon diktatorët nga të dhënat që duhet të dinë kur gjykimet e tyre janë të gabuara. Besnikët e verbër kanë frikë që të tregojnë të metat e një plani. Kështu gabimet thellohen dhe mbulohen vazhdimisht.

Pakënaqësia e brendshme që nuk mund të shtypet, devijohet duke ndezur një zjarr patriotik kundër të huajve, dhe duke e vendosur vendin në rrugën drejt luftës. Despotët janë shumë të parashikueshëm në sjelljet e tyre. Por në diagnozën e paqëndrueshmërisë në politikën elektorale, ka një të vërtetë të shëmtuar.

Askush nga ata që e shohin Britaninë nga jashtë, nuk mendon se problemi në vitet e fundit ka qenë një tepricë e mençurisë strategjike në qeveri. Ky nuk është një argument kundër demokracisë, por një kujtesë e ndryshimit midis demokratëve dhe populistëve. Këta të fundit shfrytëzojnë padurimin.

Ata ofrojnë zgjidhje të thjeshta për problemet komplekse. Kushdo që vë në dyshim metodën, denoncohet si një agjent që mbështet një statuskuo të kalbur, apo si një tradhtar që synon të pengojë rilindjen kombëtare. Tingëllon e njohur?

Është si një rreth vicioz:populisti fiton një mandat për të bërë të pamundurën dhe në mënyrë të parashikueshme dështon, duke e ndërlikuar perceptimin publik se politika demokratike nuk mund të sjellë ndryshimin rrënjësor që dëshirojnë njerëzit, gjë që është një recetë për më shumë populizëm.

Kërcënimi është edhe më i madh kur po dështon edhe modeli ekonomik që e ka mbështetur demokracinë. Pagat në Britani kanë mbetur në vend-numëro ose kanë rënë në terma realë që nga viti 2008. Është shkelur premtimi i shekullit XX-të se fëmijët do të rriteshin për të gëzuar standarde jetese më të larta se prindërit e tyre.

Demokracia liberale ofron përparim shoqëror përmes meritës dhe punës së palodhur. Sot të vetmit elementë të besueshëm janë trashëgimia dhe fati. Kjo është një shkelje e kontratës së nënkuptuar me zgjedhësit. Leja për të qeverisur jepet përmes zgjedhjeve, por besimi tek këto të fundit dëmtohet në rast se votimi nuk i përmirëson gjërat gjatë disa cikleve.

Kjo gjë nuk është aspak problem për Putinin apo Xi. Diktatorët kanë metodat e tyre për ta adresuar zhgënjimin popullor. Por për liderët demokratikë, një gjendje ekonomike e rënduar është më kërcënuese sesa çdo lloj shembulli i ngjashëm në Moskë apo Pekin. Nuk ka asnjë model dukshëm më të mirë, por qëndrueshmëria e shoqërive perëndimore ka nevojë për më shumë sesa vetëm për pritshmërinë se herët a vonë të gjithë rivalët do të mposhten.

Në këtë epokë të re që duket sipërfaqësisht si një luftë e dytë e ftohtë, kërcënimi nuk vjen nga ndonjë bllok tjetër pushteti. Ai qëndron në dështimin tonë për t’u përballur me problemet komplekse dhe zmbrapsjen populiste drejt thjeshtësisë, mendjelehtësisë dhe mohimit.

You may also like