Demiri: Nëse duhet, do të miratohen ndryshime ligjore për gjobitjen e personave të cilët nxisin fushata kundër vaksinimit

by admin
Spread the love

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, sot publikisht u zotua se do të marrë masa që të vërtetohet se si është themeluar Shoqata e antivaksinuesve dhe sipas cilit parim ligjor funksionon. Çdo deklaratë në media, tha ai, duhet të ndiqet dhe të shihet saktësisht se kush qëndron pas fushatave antivaksinuese.

Siç bëri të ditur ai, nëse do të jetë e nevojshme do të bëhen edhe ndryshime ligjore për gjobitjen e personave që inkurajojnë fushatat kundër vaksinimit.

“Nuk e di çfarë mundësie është që t’i sulmojmë ligjërisht, por nëse do të jetë nevoja do të ndikojmë në ndryshimin apo shtimin e normave ligjore që do të ndëshkojnë të gjithë personat që nxisin një lloj fushate kundër vaksinimit”, tha Demiri. duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas nënshkrimit të Deklaratës për promovimin dhe mbështetjen e vaksinimit në Odën e mjekëve.

Ai dhe përfaqësuesit e tri Odave mjekësore, të Mjekëve, Farmaceutikës dhe Stomatologjisë, edhe një herë thanë se vaksinat janë të sigurta dhe janë një nga përfitimet më të mëdha për njerëzimin.

Gjithashtu u vlerësua se rrjetet sociale janë një “zonë gri” në të cilën shpërndahen në mënyrë të pakontrolluar dezinformatat kundër vaksinave dhe vaksinimit.

“Fejsbuku është një “zonë gri” për postimet që nuk mund të kontrollohen. Është një problem serioz në nivel të të gjitha vendeve të Evropës. Por çdo raport është diçka që duhet t’ua përcjellim autoriteteve tona dhe në sistemin e kontrollit të Odës së mjekëve. Është gjëja e parë që doli para 13 vitesh me një letër false se shkaktojnë autizëm”, tha kryetarja e Odës së mjekësisë, Kalina Grivçeva – Stardelova.

Sipas saj, të gjithë pacientët e informuar jo mjaftueshëm janë përgjegjësi e mjekëve.

Në Odën e mjekëve, shtoi, nuk është regjistruar asnjë mjek “antivaksinues”.

Në konferencën për shtyp u theksua shembulli i Kërçovës, ku mjekët i raportojnë prindërit të cilët nuk duan t’i sjellin fëmijët për vaksinim në Inspektoratin e Ohrit.

Në këtë kontekst, ministri tha se Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar urdhër me të cilën e ka angazhuar Inspektoratin shtetëror sanitar që të zbatojë kontrolle të forta në të gjitha qendrat, jo vetëm në territorin e Qytetit të Shkupit.

MARKETING



You may also like