Del nga burgu një nga spiunet më të njohura të SHBA-së

by admin
Spread the love

Ana Montes, një nga spiunet më të njohura të Luftës së Ftohtë të kapur nga SHBA, është liruar nga burgu pas më shumë se 20 vitesh.

Ajo ishte arrestuar në vitin 2001 pasi ishte zbuluar se për 2 dekada kishte spiunuar për Kubën, ndërkohë që ishte e punësuar si analiste në Agjencinë amerikane të Mbrojtjes së Inteligjencës.

Zyrtarët amerikanë në atë kohë deklaruan se Ana Montes, sot 65 vjeç, kishte ekspozuar pothuajse të gjitha operacionet e inteligjencës amerikane në Kubë.

Një zyrtar e ka cilësuar atë si një nga “spiunet më të dëmshme” që është kapur nga SHBA.

Michelle Van Cleave, e cila ka qenë drejtoreshë e Kundëzbulimit gjatë presidencës së George W.Bush, deklaroi para Kongresit Amerikan në vitin 2012 se Montes kishte kompromentuar gjithçka që inteligjenca amerikane dinte për Kubën, si dhe kishte zbuluar mënyrën se si amerikanët vepronin në ishull.

“Kubanezët ishin të vetëdijshëm për gjithçka që dinim për ta dhe mund ta përdornin në avantazhin e tyre”, deklaroi Michelle Van Cleave në vitin 2012.

Ana Montes u akuzua se kishte zbuluar identitetin e 4 spiunëve amerikanë dhe kishte ekspozuar materiale të tëra të klasifikuara. Gjykatësi që e dënoi me 25 vite burgim tha se ajo kishte vënë në rrezik të gjithë kombin në tërësi.

Por ndryshe nga spiunët e tjerë që ndryshojnë krah për përfitime personale, Ana Montes spiunonte për Kubën për shkak të ideologjisë së saj. Ajo kishte pranuar që të punonte për inteligjencës kubane pasi kundërshtonte politikat e Presidencës Regan në Amerikën Latine.

Tashmë pas lirimit nga burgu, Ana Montes do të mbahet nën mbikëqyrje për 5 vjet dhe do të monitorohet çdo aktivitet i saj në internet. Gjithashtu, 65-vjeçarja është e ndaluar që të punojë për qeverinë amerikane ose të kontaktojë me agjentë të huaj.

Një nga agjentët e FBI-së që arrestoi Montes në vitin 2001, tha për CBS News se nuk mendon që ajo të përpiqet të rivendosë kontaktet me agjentët kubanë. “Ajo pjesë e jetës së saj ka përfunduar”, u shpreh agjenti Pete Lapp.

You may also like