Del në ankand koleksioni i rrallë i filmit “The Crown” – Shqip

by admin
Spread the love

Seriali i njohur ka mbërthyer pas ekranit publikun për shumë vite

Objektet dhe kostumet e përdorura gjatë xhirimeve të serialit “The Crown” kanë dalë në ankand në Londër. Publiku do të ketë mundësinë të shikojë më shumë se 450 artikuj nga seriali i njohur në  Netflix  deri më 7 shkurt.

Ndër artikujt e ekspozuar janë edhe kostumet e veshur nga personazhet kryesore të filmit, përfshirë ato që aktorja e njohur Elizabeth Debicki përdori gjatë portretizimit të princeshës së ndjerë Diana.

“Në shitje janë të gjitha artikujt që janë përdor në të gjashtë sezonet dhe nga të gjitha personazhet. Sigurisht,pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë kostumet, sendet e personazheve që luajtën aktorët Claire Foy, Olivia Colman dhe Imelda Staunton. Pra koleksioni  përmban të gjithë personazhet kryesore nga të gjashtë sezonet. Dhe është një festë e vërtetë. Është një shenjë dashurie për serialin,  pjesë e koleksionit është edhe një kopje e fustanit të veshur nga Mbretëresha gjatë kurorëzimit të saj dhe ajo e mantelit mbretor që pritet të shiten me një çmim nga 20,000 deri në 30,000 paund.”

Pjesë tjetër e rëndësishme e koleksionit është edhe i ashtuquajturi ” fustani i hakmarrjes” i veshur nga princeshë Diana dhe pritet të shitet për një çmim prej 8,000-12,000 paund.

Në qershor të 1994-ës Lady Diana veshi një fustan jo shumë të përshtatshëm për një princeshë. Fustani i zi ishte i ngushtë pas trupit, me dekolte të hapur dhe me shpatulla jashtë. Edhe pse ishte ndarë nga Princi Charles në 1991-shin, ajo vazhdonte të ishte princesha e dashur e të gjithëve.

Por jo më kot Lady Diana vendosi të thyente protokollin mbretëror pikërisht në këtë periudhë. Ajo ishte dalja e parë publike e princeshës, pasi bashkëshorti Charles, pranoi se kishte një lidhje jashtëmartesore dhe pikërisht për t’u treguar të gjithëve se ndihej e bukur dhe e lirë, kishte zgjedhur një fustan kaq të guximshëm. Por për Meg Randell, drejtoren e ankandit thotë se nuk është vetëm fustani ikonik më i rëndësishmi në këtë koleksion. Ajo vetë tregon preferencat e saj personale për këtë koleksion.

“Kostumet janë thjesht të pabesueshme. Puna me departamentin e veshjeve për të realizuar këtë ankand ka qenë e mahnitshme. Është vërtet e vështirë të flasësh për pjesët kryesore të këtij koleksioni, sepse ne kemi pjesë të mahnitshme nga të gjithë aktorët dhe aktoret kryesore, por disa nga fustanet janë të pabesueshëme. Disa nga të preferuarat e mia personale janë fustanet  e Wallis Simpson. Ato janë vërtet të mrekullueshme. Padyshim edhe rrobat e kurorëzimit janë të pabesueshme. Ato janë kopje dhe janë frymëzuar nga ato origjinale.Janë realizuar me shumë detaje dhe janë realizuar me shumë mjeshtri.”

Por si lindi ideja për krijimin e këtij koleksioni që është frymëzuar nga filmi “The Crown”?

“Ne po shohim interes nga e gjithë bota, dhe është një serial i dashur nga miliona njerëz në mbarë botën. Pra, ka një lloj interesi  ndërkombëtar. Ky serial po bën gati 10 vite që publiku e ndjek. Kështu që  ka shumë njerëz  që janë rritur me të. Pra, blerja e një pjese të kujtimeve, është diçka shumë e rëndësishme. Ajo që dua të them është  se ky koleksion përfaqëson më të mirën e kulturës moderne. Do të jetë magjepsëse të shohim se ku shkojnë këto artikuj. Por, jam i sigurt se do të jetë një kombinim interesant i fansave, muzeve dhe të gjithave këto.”

Përvec kostumeve në shitje është edhe  një kopje e karrocës së  famshme e cila është përdorur në çdo kurorëzim që nga viti 1831. Jo vetëm karroca e famshme, por edhe fasada e Doëning Street që është vendi ku qëndrojnë kryeministrat që nga viti 1735 ka një kopje të sajën. Dera e 10 Downing Street është kopjuar nga origjinali dhe është shfaqur edhe gjatë dy sezoneve të para të “The Crown”, kur  aktori John Lithgow luajti Winston Churchill.

Ankandi do të zhvillohet më 7 shkurt 2024 fizikisht në shtëpinë e ankandeve në Londër dhe online nga 30 janari deri më 8 shkurt.

Të ardhurat nga shitja e koleksionit do të shkojnë për krijimin e një skeme bursash në Shkollën Kombëtare të Filmit dhe Televizionit në Mbretërinë e Bashkuar. Shkolla ka qenë pjesë e historisë së ‘The Crown’ që në fillim, me shumë prej të diplomuarve të saj që kanë kontribuar në prodhimin e shfaqjes ndër vite.

Seriali hit, që ngjalli polemika për shkak të disa skenave , përfundoi muajin e kaluar pas 6 sezoneve, gjatë të cilave aktorët Claire Foy, Olivia Colman dhe Imelda Staunton portretizuan mbretëreshën e ndjerë Elizabeth në faza të ndryshme të mbretërimit të saj. Sezoni i parë i “The Crown” u publikua nga Netflix më 4 nëntor 2016; e gjashta dhe e fundit u publikua në dy pjesë, e para u transmetua më 16 nëntor 2023 dhe e dyta më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

“The Crown” është vlerësuar nga kritikët për aktrimin, regjinë, shkrimin, kinematografinë, megjithatë pasaktësitë historike kanë marrë disa kritika. Këto kritika lindën, veçanërisht nga sezoni i katërt e tutje.

Seriali ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë një çmim Emmy dhe dy çmime Golden Globe.

Klan News

You may also like