Dekani i Fakultetit Pedagogjik i UT-së, Lulzim Mehmedi realizoi takim pune në Universitetin e Ilinoisit Verior të SHBA-ve – Shqip

by admin
Spread the love

Dekani i Fakultetit Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, Lulzim Mehmedi, i cili qëndron në SHBA, realizoi takim në Northern Illinois University në DeKalb. Ai u prit nga dekani i Kolegjit të Edukimit, William A. Pitney, nga i cili u njoftua në lidhje me programet studimore të ciklit të parë, të dytë dhe tretë, që ofron ky Kolegj.

Më pas, takimi vazhdoi në përbërje më të gjerë të stafit menaxhues të Kolegjit të Edukimit në NIU. Në këtë takim, dekani Mehmedi shprehu falënderim për vazhdimin e bashkëpunimit të Universitetit të Tetovës me Universitetin e Ilinoisit Verior, i cili daton që nga viti 2017, ndërsa nga ky vit vendoset edhe bashkëpunimi midis dy fakulteteve.

Ai, gjithashtu i njoftoi të pranishmit me historikun e rrugëtimit dhe zhvillimit të Universitetit të Tetovës dhe të Fakultetit Pedagogjik, që nga themelimi e deri më tani, programet studimore që ofron Fakulteti Pedagogjik në të tre ciklet, mënyrën e studimeve, si dhe realizimin e veprimtarisë mësimore-shkencore.

Profesorët e pranishëm, të cilët janë pjesë e stafit menaxhues të Kolegjit të Edukimit, Carolyn Pluim – departamenti për Lidership dhe Psikologji – Edukimi, David A. Walker – departamenti për Teknologji Arsimore, Kërkim dhe Vlerësim, Donna E. Werderich – departamenti i kurrikulës dhe udhëzimeve, Todd A. Gilson – Departamenti i Kinezologjisë dhe Edukimit Fizik, Christopher Lowe – Drejtor i Suksesit të Studentëve, Eric Junco – Drejtor për kapitalin, bënë elaborime të shkurtra të programeve studimore, si dhe punës së departamenteve në të cilat ata janë të kyçur.

Takimi përfundoi me konkluzion, që të përpilohet një projekt i përbashkët nga të dy fakultetet dhe të shihen mundësitë e bashkëpunimit në sferën e shkëmbimit të përvojave, të praktikave pozitive me vizita të ndërsjella midis stafit akademik dhe studentëve, si dhe bashkëpunim në sferën e kërkimeve shkencore.

Ajo që ra në sy gjatë takimit, ishte prania e portretit të Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, si dhe figurës së shenjtores Nënë Tereza në vitrinat e sallës së mbledhjeve, të cilat janë dhuruar gjatë qëndrimit të delegacionit të UT-së, në dhjetor të vitit 2017.

Në kuadër të bashkëpunimit midis dy Universiteteve, Rektori i atëhershëm, Prof. Dr. Vullnet Ameti në dhjetor të vitit 2017 u shpall Doktor nderi i shkencave i Northern University of Illinois, u themelua Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, ndërsa në Muzeun Blackwell të Universitetit të Ilinoisit Verior u hap ekspozita për historikun e Universitetit të Tetovës.

You may also like