Criscito nuk gabon nga pika e bardhë, Genoa përmbys Juven në shtesë

by admin
Spread the love

Një ndeshje plot emocione është zhvilluar në “Marassi”, aty ku Genoa ka përmbysur Juventusin në minutat shtesë dhe ka marrë tre pikë të arta në luftën për mbijetesë. Dybala kalon bardhezinjtë në avantazh në pjesën e dytë, por Gudmundsson dhe një penallti e kapitenit Criscito në minutën e 6-të shtesë i kanë dhuruar fitoren skuadrës kuqeblu.

Genoa ngjitet në kuotën e 28 pikëve dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa Juventusi, që i ka arritur objektivat e saj në kampionat, duket se mendonte më shumë për finalen e Kupës së Italisë, që do të luajë kundër Interit në mesjavë.

Mbretëron ekuilibri në “Marassi” në 45 minutat e para të sfidës mes Genoas dhe Juventusit që mbyllet në barazim 0-0. Bardhezinjtë nisin më mirë ndeshjen dhe rrezikojnë me Kean, që nuk arrin të çojë dot topin në rrjetë.

Me kalimin e minutave skuadra e Blessin fiton terren dhe rrezikon me Destron, që nuk arrin të shënjestrojë portën. Genoa luan më mirë, por nuk arrin që të shfaqet rrezikshëm në portën e Szczesny.

Pjesa e dytë nis me gol. Dybala gjuan nga larg dhe mposht portierin Sirigu. Argjentinasi shënon golin e 115-të me fanellën e Juventusit dhe barazon Roberto Baggion në vendin e 9-të në renditjen e golashënuesve më të mirë të skuadrës bardhezi.

Genoa mundohet të reagojë, por nuk arrin që të krijojë raste të pastra shënimi. Juve i afrohet golit të dytë me Dybala, por gjuajtja e tij përfundon në shtyllë. Gjyqtari Sozza akordon një penallti për Juventusin, por ndërhyn VAR, që e anulon.

Genoa barazon shifrat me Gudmundsson dhe në minutat e fundit kuqeblutë kanë një shans të artë për të kaluar në avantazh, por Amiri humbet një 11-metërsh në lëvizje, pasi gjuajtja e tij pritet nga Szczesny.

Skuadrat luajnë hapur dhe në minutat e fundit krijohen raste në të dyja kampet, Kean humbet një rast të artë për të kaluar në avantazh Juven. Përfiton Genoa që në aksionin pasardhës fiton një penallti, që e kthen në gol Criscito. Ai që humbi në ekstrem një penallti kundër Sampdorias, i dhuron një trepikësh të artë kuqebluve, që vazhdojnë të shpresojnë te mbijetesa. / Oversport.tv

Foto: JuventusFC Twitter

Itali-Serie A / Java e 36-të

Genoa-Juventus 2-1

Gudmundsson 87’, Criscito 90+6’ (pen) / Dybala 48’

 

You may also like