“Corriere della Sera”: Zaçaj për marrëveshjen Meloni-Rama për emigrantët: Nevojiten kontrolle të kushtetutshmërisë

by admin
Spread the love

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Zakonisht nuk flas me shtypin, por e kuptoj që kjo çështje është e rëndësishme dhe delikate jo vetëm për ne, por edhe për Italinë dhe ndoshta është e drejtë të sqarohen pak gjërat”, tha Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, gjatë një bisede telefonike me “Corriere della Sera”.

Zaçaj doli drejtpërdrejt në TV pasditen e djeshme për të shpjeguar pse marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët nuk mund të ratifikohet ende.

Gazetari: A i thotë Gjykata Kushtetuese “jo” marrëveshjes Romë-Tiranë?

Zaçaj: Jo. Procesi që çon në ratifikimin e marrëveshjes është pezulluar pasi mbi një e katërta e deputetëve shqiptarë na kanë kërkuar të kontrollojmë kushtetutshmërinë ose jo të protokollit të nënshkruar mes dy vendeve. Ne kemi vlerësuar se ankesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe sipas rregullores sonë kjo sjell automatikisht ndërprerjen e procedurave parlamentare për ratifikimin. Por dua të sqaroj, ne nuk kemi hyrë në meritat e protokollit të nënshkruar.

Gazetari: Çfarë kontestojnë 30 deputetët?

Zaçaj: Në thelb dy aspekte. E para mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit. Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje kërkon autorizimin e presidentit pasi prek çështjet territoriale. Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve.

Gazetari: Dhe aspekti i dytë?

Zaçaj: Sipas tyre, protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Gazetari: Pse nxitet pezullimi automatik i procesit parlamentar?

Zaçaj: Sepse pas ratifikimit, Gjykata, sipas rregullave tona, nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit.

Gazetari: A do të hyjë Gjykata në seancën e 18 janarit në themel të marrëveshjes Rama-Meloni?

Zaçaj: Na kërkohet një gjë e tillë, duhet të shqyrtojmë në detaje protokollin për ato dy pika të ngritura nga një e katërta e Kuvendit të Shqipërisë. Por e përsëris, ne nuk kemi hyrë vërtet në këtë çështje. Ka nga ata që i frikësohen lëvizjeve të opozitës për t’iu detyruar të shtyni vendimin. Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin brenda datës 4 janar 2024. Dhe nga dita e ankimimit, 6 dhjetor 2023 kemi maksimum tre muaj për të marrë vendim. Në rastin konkret do të thotë se deri më 6 mars 2024 Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo.  //a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like