Colella: Kampionatet fitohen me rezultate 1-0, Kastrioti më ka bërë përshtypje si ekip

by admin
Spread the love

Partizani kërkon të mbajë kreun e klasifikimit në “Abissnet Superiore” dhe pengesa e radhës në javën e 8-të është Kastrioti. Në prag të kësaj sfide trajneri Colella është ndalur përpara mediave në konferencë për shtyp ku foli fillimisht për gjendjen e ekipit dhe kundërshtarin e Partizanit.

“Ka disa probleme të vogla, por janë gjëra normale. Kur një skuadër stërvitet intensivisht gjithë javën, sigurisht që një problem i vogël edhe mund të shfaqet. Megjithatë, janë probleme të vogla dhe asgjë nuk është serioze. Kastrioti është një skuadër e organizuar mirë dhe shumë agresive. Është një skuadër që më ka lënë përshtypje të mira dhe duhet të përballemi me mentalitetin e duhur.”

Në 7 javët e para Partizani nuk ka fituar asnjë ndeshje me më shumë se një gol diferencë. Edhe pse “Demat” nuk kanë treguar se dinë t’i vrasin ndeshjet, ky nuk është një problem për trajnerin Colella, i cili megjithatë tregon se Partizani duhet ende të përmirësohet.

“Sinqerisht është diçka që nuk më intereson. Nuk është një problem që nuk i fitojmë ndeshjet me më shumë se një gol. Sigurisht që ka vend për përmirësim, sepse ne mund të bëjmë më mirë, por kam parë edhe skuadra që fitojnë kampionatet me rezultatin 1-0, madje mund të shtoj se në Itali të ekipet që fitojnë kampionatet fitojnë gjithmonë 1-0. Të gjitha ekipet e tjera që fitojnë me rezultate të thella më pas bien. Megjithatë, statistikat janë reale dhe ne duhet të përmirësohemi akoma dhe i kemi mundësitë për ta bërë këtë gjë.”

Colella tregoi gjithashtu se ndeshje të tilla si ndaj Kastriotit janë shumë të vështira për të motivuar ekipin, por është i qetë pasi ka parë se skuadra ka bërë disa hapa përpara bazuar te ndeshja e Kupës ndaj Orikut.

“Për sa i përket trajnerit këto janë ndeshjet më të vështira për të motivuar lojtarët, sepse në derbi ndaj Tiranës motivimi është shumë i lartë edhe nga vetë lojtarët, ndërkohë që në të tilla ndeshje duhet shumë kujdes për të bërë lojën dhe për të marrë tre pikët, përballë një kundërshtari siç është Kastrioti. Jam shumë i kënaqur për ndeshjen e mesjavës në Kupë me ekipin që u fut në fushë me qasjen e duhur dhe këtë gjë mund ta quaj se kemi bërë një hap përpara.” /oversport.tv

You may also like