Champions League/ Milani kërkon të presë biletën për fazën tjetër, Juve-PSG supersfida e mbrëmjes

by admin
Spread the love

Do të luhen sot edhe sfidat e fundit të grupeve të Champions League ku mbeten për t’u prerë edhe dy bileta për fazën e 1/8. Në orën 18:45 do të luhen dy sfidat e grupit F ku Real Madridi ka siguruar kualifikimin, por kërkon fitoren ndaj Celtic për të mbajtur vendin e parë.

Nga ana tjetër, RB Leipzig ndeshet me Shakhtar Donetsk dhe për të prerë biletën në fazën tjetër ka në lojë dy rezultate. Një fitore e ukrainasve, do të çonte këta të fundit në fazën tjetër dhe gjermanët do t’i kalonte në Europa League.

Në orën 21:00, për Milanin është ora e së vërtetës dhe luan fatin e këtij edicioni të Champions League. Kuqezinjtë e Piolit presin në San Siro, Salzburgun për një vend në 1/8.

Italianët kanë në lojë dy rezultate (barazim dhe fitore) pasi ndodhen në vendin e dytë të grupit E, ndërsa Chelsea i cili ka siguruar vendin e parë do të ndeshet me Dinamon e Zagrebit në Londër ku është projektuar si titullar edhe sulmuesi shqiptar, Armando Broja.

Në grupin H do të luhet supersfida e mbrëmjes, ajo midis Juventusit dhe PSG në Torino. Juventusi kërkon të fitojë për të treguar forcën, por edhe sepse një fitore do t’i siguronte vendin në Europa League. Nuk dëshiron të lëshojë terren as PSG që kërkon të mbajë vendin e parë në grup. Këta të fundit rrezikohen nga Benfica që ndeshet me Maçabin.

Në rast se portugezët fitojnë dhe PSG ndalet, atëherë si kryesues shkon në fazën e 1/8 Benfica. Megjithatë, të dyja ekipet i kanë prerë matematikisht biletat për fazën tjetër, ndërsa në lojë është vetëm Europa League për Juventusin dhe Maçabin.

Ndërkohë që në grupin G janë dhënë të gjitha verdiktet finale. Manchester City do të dalë si kryesues, së bashku me Dortmundin e vendit të dytë, ndërkohë që Sevilla do të shkojë në Europa League. Sot City do të përballet me Sevillan, ndërsa Dortmund me Copenhagen. /oversport.tv

Foto: UEFA Champions League, Twitter

You may also like