Ç’farë kërkojnë bullgarët as pushtuesit s’e bëjnë – Shqip

by admin
Spread the love

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, të enjten e ka vlerësuar si skandaloze kërkesën e Bullgarisë për të marrë pjesë në procesin e ndryshimit të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, e cila është kusht që vendi i tij të fillojë fazën e dytë të negociatave me Bashkimin Evropian.

“As pushtuesit nuk i bëjnë kërkesa të tilla vendeve, territoreve apo shteteve që pushtojnë. Në shekullin e 21-të është e papërshtatshme që ju të kërkoni të ndërhyni në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese të çdo vendi”, u tha ai gazetarëve.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut theksoi se përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ndaj Sofjes ishte “në vend” se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme, e cila si detyrim lidhet me negociatat për anëtarësim në BE dhe se nuk ka mundësi që Bullgaria t’i bashkohet kësaj.

Me këtë përgjigje ndaj Bullgarisë u pajtua plotësisht edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili theksoi se është një vendim vetëm në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, partive politike dhe parlamentit.

“Nuk ka ardhur një kërkesë e tillë”

Shefi i diplomacisë bullgare, Nikolai Milkov, tha të mërkurën se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procesin e regjistrimit të bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Këtë, siç tha Milkov në Sofje, ia ka përcjellë ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, në një takim dypalësh të mërkurën.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, një kërkesë e tillë nuk ka mbërritur dhe as ministrat Osmani dhe Milkov nuk e kanë diskutuar.

Në korrik të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut filloi fazën e parë të negociatave me BE-në në Bruksel, në të cilën kryhet shqyrtimi, i cili duhet të përfundojë deri në nëntor, por është kusht për konferencën e dytë ndërqeveritare dhe hapjen e kapitullit përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë. /tesheshi.com/

You may also like