Çfarë fati e pret lokalitetin arkeologjik në Shkup? Asani: Prokuroria të ndërmarrë masa, është shkelur ligji për trashëgimi

by admin
Spread the love

Pllakat e gjetura në lokalitetin arkeologjik “Shkupi antik” kanë vlerë të jashtëzakonshme për trashëgimin kulturore shqiptare, vlerëson drejtori i Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore, Skender Asani. Shpreh brengën se edhe këto dy pllaka mund të kenë fatin e mijërave artefakteve të tjera që janë zhdukur ose zhvendosur nëpër muze, por kanë mbetur të pa prezantuara dhe të pa interpretuara shkencërisht. Zhdukja e tyre mund të ndodhë, sepse sipas Asanit, shqiptarët në Maqedoni nuk kanë asnjë muze të etno-kulturës ku do të mund t’i prezantojnë artefaktet. Për rastin e pllakës me mbishkrimin “dardanius” thotë se Prokuroria Publike duhet të ndërmarrë masa ndaj atyre që kanë dhënë leje ndërtimi e kështu kanë shkelur ligjin e trashëgimisë kulturore.

“Nga institucionet prokuroria Publike e cila duhet të ngrit aktpadi penale ndaj atyre të cilët kanë lejuar, pra ju kanë dhënë leje ndërtimi në atë pjesë ku nuk duhet të jepet leje për shkak se në vijë ajrore 3 km ku zhvillohen gërmime arkeologjike nuk duhet t’i jepet askujt leje ndërtimi. Për fat të keq shumë ndërtesa janë ndërtuar mbi qytetin antik, shumë e shumë artefakte janë shkatërruar siç është fati edhe me rastin e fundit”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së.

Në muze dërgohen artefakte të ndryshme dhe jo një qytet i tërë, thotë Asani. Shton se aty ekziston Shkupi antik dhe ai mund vetëm të zgjerohet dhe jo gurët të transferohen diku tjetër. Deklaron se vendi aty duhet të konservohet dhe të mbrohet me ligj.

“Gjithkund në botë vizitohen lokalitet aty ku gjenden dhe ato konservohen aty për të shkuar dhe për t’i vizituar vizitorët dhe për të qenë një element për edukimin e gjeneratave të reja se si ka kaluar qyteti i Shkupit gjatë periudhave historike”, pohoi Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së.

Sipas historianëve, ajo që lexohet tek mbishkrimi i epitafit është se i ndjeri është Epikrati, e në epitaf është shënuar edhe e shoqja dhe tre djemtë e tij, me çka djali i tretë e ka emrin Dardanius. Sipas historianëve Shkupi antik është themeluar në periudhën e bronzit ku edhe janë gjetur artefakte nga kultura materiale ilire me çka Shkupi ka qenë kryeqendra e Mbretërisë Dardane. Edhe pas ardhjes së romakëve Shkupi vazhdoi të jetë kryeqendër e provincës së Dardanisë dhe kështu kanë mbetur gjurmë gjatë historisë.

You may also like