Çështja me Kosovën është më komplekse sesa vetëm njohja e saj nga Serbia – Shqip

by admin
Spread the love

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha sot gjatë “Forumit të Sigurisë në Beograd” se është e nevojshme që fillimisht të kuptohet se çfarë ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen, dhe pas kësaj të pasojë deeskalimi.

Ai vuri në dukje domosdoshmërinë e zgjidhjes politike të krizës dhe se në këtë drejtim BE-ja ka dhënë një koncept – “AKS-ja për serbët në veri të Kosovës, në këmbim të ndërkombëtarizimit për Kosovën”.

Ambasadori gjatë panelit “Ballkani Perëndimor në (ç)rregullimin global” tha se po i thonë Serbisë “hajde Serbi, ajo çështje ka marrë fund, Kosova është e pavarur, duhet të mendosh për të ardhmen”.

“Do të doja të ishte kështu, por mendoj se është më komplekse se kaq”, tha ai, raporton “Danas”, transmeton Klankosova.tv.

Hill tha se është e nevojshme të inkurajohen të dyja palët që të dëgjojnë njëra-tjetrën, duke theksuar se edhe pse është këshillë për gjashtëvjeçarët, është e vlefshme të kemi mirëkuptim të ndërsjellë.

Ai komentoi gjithashtu se shumë besojnë se është detyrë e ShBA-së të ofrojë vende në Bashkimin Evropian, edhe pse nuk është detyra e tyre. Vendi nga vjen, tha ai, mbështet atë që BE-ja po bën dhe po përpiqet të bëjë në rajon.

Ambasadori amerikan tha se po përpiqet të harrojë Rambujenë, në të cilën ishte përfshirë, por se situata ka ndryshuar nga atëherë kur flasim për vëmendjen që merr situata në Ballkan.

Në atë kohë, tha ai, njerëzit zgjoheshin dhe shtriheshin, kishin makthe për Ballkanin, ndërsa sot ka shumë situata të tjera që e bëjnë të pamundur zhvendosjen e gjithë fokusit në Ballkan.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që BE dhe ShBA të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të mbështetur njëri-tjetrin së bashku dhe që Ballkani të jetë aty ku e ka vendin gjeografikisht. Ka shumë kushte normative dhe kjo është e kuptueshme sepse në çdo klub të mirë duhet të ketë disa standarde, prandaj mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të bëjnë gjithçka për t’i arritur ato”, tha ambasadori, duke shtuar se këto kushte ndonjëherë janë të vështira.

Hill tha gjithashtu se ai nuk mendon se Rusia ka shumë për të ofruar në këtë rajon.

“Nuk kam asnjë dyshim se ky vend dhe vendet e tjera të rajonit duhet të anëtarësohen në BE dhe NATO. E ardhmja e tyre është atje dhe nuk ka rrugë tjetër, nuk ka alternativë dhe sigurisht që nuk është Moska. Sa më shpejt që njerëzit ta kuptojnë këtë, aq më shpejt do të arrihen ato qëllime”, tha ambasadori amerikan në Beograd.

Hill tha se sa herë që sheh më shumë trupa të NATO-s, e di se ata do të kontribuojnë për zgjidhjen, duke kujtuar vizitën e Admiralit Munsch në rajon.

Duke paralajmëruar vizitën e të dërguarve ndërkombëtarë në rajon në ditët në vijim, ai tha se kjo flet për rëndësinë e përpjekjeve për zgjidhjen e situatës në Kosovë. /Klankosova.tv

You may also like