Çdo tabele të Serbisë ia mbulojmë shenjën shtetërore, s’ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se duke filluar nga 4 tetori do të mbulohet shenja shtetërore në secilën tabelë të automjeteve të Serbisë.

Ai tha se nuk ka tabela pak më të mira ose pak më të këqija të Serbisë, derisa thotë se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe njëjtë do të veprojë edhe Kosova.

“Nga 4 tetori, çdo tabele automjeti të Serbisë ne ia mbulojmë shenjën shtetërore. Nuk na interesojnë të tjerat aty. Nuk ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija të Serbisë. Republika e Serbisë nuk po e njeh Republikën e Kosovës. As Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë. Pra, nevojitet njohje reciproke”.

Sveçla përmes një postimi në Facebook tha se që nga data 20 shtator, kur edhe hyri në fuqi masa e reciprocitetit për targa me Serbinë, janë lëshuar 12.100 targa të përkohshme.

“Që nga data 20 shtator është duke u zbatuar vendimi për pajisje me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë, e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Mbi 12.100 targa janë lëshuar qysh atëherë, dhe asnjë incident nuk ka ndodhur.

Sot është arritur marrëveshja në Bruksel për zbatim të përkohshëm të sistemit të afisheve ngjitëse në targat e automjeteve. Me datën 2 tetor do të largohen barrikadat që janë vendosur jashtëligjshëm e që kanë bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë tash e 11 ditë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, e cila që nga dita e parë ka ruajtur rendin dhe sigurinë në vend, më nuk do të ketë nevojë të qëndrojë aty”.

Ai ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për punën që kanë bërë në pikat kufitare në veri të fundit të cilat tash e më shumë se dhjetë ditë janë të bllokuara duke thënë se ata kanë treguar profesionalizëm shembullor.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, e falënderoj çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës për punën e palodhshme dhe profesionalizmin shembullor që kanë treguar. Ata më së miri kanë përfaqësuar shtetin tonë dhe vlerat e një shoqërie që ne duam dhe synojmë: e barabartë, e drejtë dhe demokratike. Edhe reciprociteti i arritur sot derivon nga këto vlera, prandaj ne do ta vazhdojmë atë”.

 

You may also like