Bytyqi: Do të propozojë Ligj për uljen e pagave të funksionarëve

by admin
Spread the love

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi ka paralajmëruar se sot në Qeveri do të parashtrohet zgjidhje ligjore për Ligjin e Pagave të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar, për një zgjidhje më të drejtë, me të cilën do të lirohen një pjesë e fondeve për masa antikrizë për kategoritë më të prekura të qytetarëve.

 FATMIR BYTYQI, ZV/KRYEMINSTËR PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE

“Javën e kaluar Qeveria ka marrë vendim dhe na ka angazhuar një grup punues prej katër ministrave për masa të reja antikrizë. Nesër do të japim edhe zgjidhje ligjore për Ligjin për rrogat e personave të zgjedhur dhe të emëruar për një zgjidhje më të drejtë, me të cilën, do të lirojmë një pjesë të mjeteve financiare për masa antikrizë për kategoritë më të ndjeshme, sepse kjo është kyçe në periudha kohore kur të gjithë duhet të tregojmë solidaritet”.

Ai për Televizionin 24  ka theksuar se edhe me ridedikimin e buxhetit do të ketë pako të re të masave antikrizë prej rreth 70 milionë eurove, të cilat do të dedikohen për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.

FATMIR BYTYQI, ZV KRYEMINSTËR PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE

“Ligji për pagën minimale është një ligj që  duhet të respektohet si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat dhe harmonizimi i radhës duhet të bëhet në muajin mars, kur paga minimale do të përshtatet me normën e inflacionit dhe rritjen e pagës mesatare, ndërsa pensionet harmonizohen dy herë në vit”.

Ndër të tjera, Bytyqi theksoi se edhe investimet e huaja në vend po rriten dukshëm. Sipas tij, kulmi i investimeve pas anëtarësimit në NATO u vonua për shkak të krizës së Kovidit, por që tani po vjen. Ai ka përmendur se kanë përkrahur 919 kompani vendore , të cilat kanë realizuar 500 milionë investime, të cilat siç thotë ai, janë mjaft konkurruese për tregun e hapur të BE-së.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING



You may also like