Bukuria e asaj që nuk do ta dimë kurrë – Shqip

by admin
Spread the love

Pico Lyer

Një mëngjes të nxehtë tetori, zbrita nga treni i natës në Mandalai, kryeqyteti i vjetër mbretëror i Birmanisë – sot Mianmar. Në rrugë ndesha me një grup burrash, që po rrinin pranë një vendëqëndrimi biçikletash. Një prej tyre u erdhi pranë dhe u ofrua të më tregonte qytetin. Çmimi që vendosi për këtë shërbim ishte i pabesueshëm. Ishte më pak nga sa do të kisha paguar për një çokollatë në shtëpi. Kështu që, i hipa triçiklit të tij dhe ai filloi të pedalojë ngadalë, mes pallateve dhe kasolleve. Ndërkohë, më rrëfeu se si kishte ardhur në qytet, nga fshati. Kishte një diplomë në matematikë. Endrra e tij ishte të bëhej mësues.

Por sigurisht, jeta është e vështirë nën një diktaturë ushtarake, kështu që për momentin, kjo ishte e vetmja mënyrë për të, që të nxirrte bukën e gojës. Më tregoi se shumë net flinte në triçikël, me qëëlim që të mund të kapte vizitorët e parë të trenit të natës. Pa kaluar shumë, zbuluam se në disa drejtime, kishim kaq shumë gjëra të përbashkëta – shim të dy në të njëzetat, ishim të dy të magjepsur nga kulturat e huaja – saqë ai më ftoi në shtëpinë e tij. 

Kështu, devijuam nga rrugët e gjera dhe të populluara, dhe u futëm nëpër rrugicat e pashtruara. E humba sensin se ku ndodhesha, dhe kuptova se tashmë, mund të më ndodhte çdo gjë. Mund të më grabisnin, të më drogonin, apo edhe më keq. Askush nuk do ta merrte vesh. 

Më në fund, ai u ndal dhe më priu drejt një kasolleje e cila përbëhej nga vetëm një dhomë e vogël. Pastaj, u ul poshtë krevatit të tij. Diçka brenda meje ngriu. Prita, që të shihja se çfarç do të nxirrte. Më në fund, ai tërhoqi një kuti. Brenda saj, ishte çdo letër që ai kishte marrë prej vizitorëve të huaj, dhe në disa prej tyre kishte ngjitur copëza letrash nga miqtë e rinj të huaj. Kështu që, kur u ndamë atë natë, kuptova se ai më kishte treguar edhe kuptimin sekret të udhëtimit, që është të zhytesh, të shkosh së brendshmi dhe së jashtme në vende ku përndryshe nuk do të shkoje kurrë, të endeshe nëpër pasiguri, paqartësi, edhe frikë madje. Në shtëpi, është rrezikshmërisht e kollajtë të supozojmë që jemi në krye të gjërave. Atje jashtë në botë, çdo moment është një kujtesë që në fakt nuk je, dhe nuk i shkon dot as deri në fund gjërave.   

Pikërisht atëherë, kur ndihesh i humbur, i parehatshëm, kur ndihesh sikur ke dalë nga vetja, ti zbulon se kush je! 

Unë nuk besoj se injoranca është lumturi. Nuk ka asnjë dyshim se shkenca i ka bërë jetët tona më të bukura, më të gjata dhe më të shëndetshme. Dhe unë u jam përjetë mirënjohës mësuesve që më mësuan ligjet e fizikës, dhe që më treguan se tre shumëzim për tre bëjnë nëntë. Këtë mund ta llogaris me gishtërinjtë e mi në çdo kohë të natës a ditës. 

Por, kur një matematicien më thotë se -3 shumëzim për -3 bëjnë nëntë, kjo është një lloj logjike që pothuaj ngjan si besim. 

Me fjalë të tjera, e kundërta e dijes nuk është gjithmonë injoranca. Mund të jetë çudia. Ose misteri. Mundësia. Dhe në jetën time, kam zbuluar se janë gjërat që nuk di, ato që më kanë ngritur në këmbë dhe më kanë shtyrë përpara, shumë më tepër se sa gjërat që di. Janë gjithashtu gjërat që nuk di, ato që shpesh më kanë afruar më shumë me çdo njeri rretherrotull meje. Gjatë tetë nëntorëve të fundit, kam udhëtuar nëpër Japoni me Dalai Lamën. Dhe një gjë që ai ma thoshte përditë, e cila dukej se u jepte më shumë siguri dhe vetëbesim njerëzve, ishte “Nuk e di”. 

“Çfarë do të ndodhë me Tibetin?”

“Kur do të kemi ndonjëherë paqe në botë?”

“Cila është mënyra më e mirë për të rritur fëmijë?”

“Sinqerisht”, thotë ky burrë shumë i mençur, “nuk e di”.

Ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Daniel Kahneman ka kaluar më shumë se 60 vite duke studiuar sjelljen njerëzore, dhe konkluzioni i tij është se ne jemi gjithmonë me më shumë vetëbesim për gjërat që mendojmë se i dimë, se sa duhet. Siç thotë ai, ne kemi “një aftësi të pakufizuar për të injoruar injorancën tonë”. Ne dimë se ekipi ynë do të fitojë këtë fundjavë, dhe ne e kujtojmë këtë gjë që dimë, vetëm në ato raste të rralla kur kemi të drejtë. Për pjesën më të madhe të kohës, jemi në errësirë. Dhe këtu qëndron intimiteti i vërtetë.

A e dini çfarë do bëjë i dashuri juaj nesër? A doni ta dini?

Prindërit e të gjithëve ne, siç i quajnë disa, Adami dhe Eva, nuk do mund të vdisnin kurrë, sa kohë që do të vazhdonin të hanin nga pema e jetës. Por në momentin kur nisën të çukisin nga pema e dijes së të mirës dhe të keqes, ata ranë nga pafajësia e tyre. U sikletosën, u trembën, u bënë të vetëdijshëm. Dhe mësuan, ndoshta pak me vonesë, se sigurisht që ka disa gjëra që ne kemi nevojë ti dijmë, por ka shumë, shumë gjëra të tjera që më mirë të lihen të pazbuluara. 

Kur isha më i ri, i dija të gjitha, sigurisht. Kisha kaluar 20 vite në klasë duke mbledhur fakte, dhe isha në biznesin e informacionit, duke shkruar artikuj për revistën TIME. Atëherë nisa udhëtimin tim të parë të vërtetë në Japoni, për dy javë e gjysmë, dhe u riktheva me një ese 40 faqe ku shpjegoja çdo detaj për tempujt japonezë, modën, lojërat e bejsbollit, shpirtin japonez. 

Por nën gjithë këto, diçka që nuk mund ta kuptoja më kish prekur kaq shumë për arsye që ende nuk mundem t’jua shpjegoj. Aq shumë sa më bëri të shkoj dhe të jetoj në Japoni. Dhe tani që kam jetuar atje për 28 vite, vërtet nuk kam shumë për t’ju thënë në lidhje me shtëpinë time të adoptuar.

Gjë që është e mrekullueshme, sepse nënkupton që çdo ditë po bëj një zbulim të ri, dhe ndërkohë duke parë prapa qoshes dhe vërejtur qindra e mijëra gjërat që nuk do i di kurrë. 

Dija është një dhuratë e çmuar. Por iluzioni i dijes mund të jetë më i rrezikshëm se sa injoranca. Të mendosh se e njeh të dashurin tënd, apo armikun tënd, mund të jetë më e dhimbshme se sa pranimi se nuk do i njohësh kurrë. 

Çdo mëngjes në Japoni, teksa rrezet e diellit derdhen në apartamentin tonë të vogël, mundohem shumë që të mos e ndjek parashikimin e motit, sepse nëse e bëj, mendja ime do mjegullohet, shpërqëndrohet, edhe atëherë kur dita është e bukur. 

Prej 34 vitesh kam qenë një shkrimtar me kohë të plotë. Dhe një gjë që kam mësuar është se transformimi ndodh kur nuk jam në krye të gjërave, kur nuk e di se çfarë do të ndodhë, kur nuk mundem të supozoj se jam më i madh se çdo gjë përreth meje.

E njëjta gjë është e vërtetë në dashuri, ose në momente krize. Papritur, rikthehemi tek ai triçikli, duke dalë nga rrugët e gjera dhe të ndriçuara dhe kujtohemi se ligji i parë i udhëtimit, dhe i vetë jetës është: Je po aq i fortë, sa edhe gatishmëria jote për t’u dorëzuar. Në fund të fundit, të jesh njeri është shumë më e rëndësishme se sa të dish gjithçka. / TED Talks – Bota.al

You may also like