BRUKSEL – Telefonat e stafit të Komisionit të BE-së shënjestrohen përmes spyware “Pegasus”

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 28 korrik /ATSH-DPA/- Një hetim i brendshëm në Komisionin Evropian ka zbuluar se telefonat celularë të disa anëtarëve të stafit ishin shënjestruar duke përdorur softuerin “Pegasus” të një kompanie izraelite.

Letra nga komisioneri i Drejtësisë i BE-së, Didier Reynders, drejtuar ligjvënëses së BE-së Sophie in ‘t Veld, shkruante se kompania amerikane e teknologjisë “Apple” kishte paralajmëruar në nëntor 2021 për një kompromis të mundshëm të pajisjes së tij telefonike nga softueri “Pegasus” i grupit izraelit NSO.

Sipas letrës, ky alarm nxiti një seri inspektimesh të pajisjeve të Reynders, së bashku me anëtarët e tjerë të stafit të komisionit, të cilët u paralajmëruan nga “Apple”.

Letra shkruante se inspektimet nuk gjetën prova përfundimtare që spyware kishte arritur të komprometonte pajisjet e Reynders ose anëtarëve të tjerë të stafit.

Megjithatë, letra thoshte se hetimi është në vazhdim dhe kontrollet në disa pajisje telefonike kishin zbuluar tregues të kompromisit, një shprehje e përdorur nga zyrtarët e sigurisë për të nënkuptuar infiltrimin në sistem.

Sipas letrës së Reynders, nuk është e mundur t’i atribuohet me siguri përgjegjësia autorëve.

Në letrën e Reynders thuhet se përpara paralajmërimit të “Apple”, krahu ekzekutiv i BE-së po hetonte një infiltrim të mundshëm të softuerit “Pegasus” pas zbulimeve në korrik 2021 se qeveritë autoritare në mbarë botën kishin përdorur spyware kundër kritikëve, anëtarëve të opozitës dhe gazetarëve.//a.i./

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like