BRUKSEL – Sanksionet e BE-së ngrijnë asete ruse me vlerë miliarda euro

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 21 qershor /ATSH-DPA/- Sanksionet e BE-së ndaj oligarkëve rusë kanë ngrirë asete me vlerë rreth 12.5 miliardë euro (13 miliardë dollarë), njoftoi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand.

“Vlera e përditësuar është pothuajse dyfishuar nga 6.7 miliardë euro në muajin prill. Ato përfshijnë jahte luksoze, pasuri të paluajtshme, helikopterë dhe vepra arti”, tha Wigand.

Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka miratuar raunde të shumta sanksionesh që kanë shënjestruar ekonominë e Rusisë, sistemin financiar, bankën qendrore, zyrtarët e lartë të qeverisë, si dhe presidentin rus, Vladimir Putin dhe rrethin e tij të ngushtë.

Në prill, dega ekzekutive e BE-së tha se ishin sekuestruar pasuri me vlerë 30 miliardë euro.

Një zëdhënës i Komisionit konfirmoi më vonë se asetet nga Banka Qendrore ruse ishin përfshirë në shumën fillestare.

Në fund të muajit maj, u raportua një vlerë prej gati 10 miliardë eurosh pa përfshirjen e këtyre aseteve. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like