BRUKSEL – Sanchez: BE të hapë dyert dhe të integrojë Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor

by admin
Spread the love

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha sot se shpreson në hapjen e bisedimeve të zgjerimit midis Bashkimit Evropian dhe Ukrainës përpara përfundimit të presidencës së rradhës gjashtëmujore të vendit të tij të Këshillit të BE-së, më 31 dhjetor, sipas Reuters.

“Unë e nisa presidencën spanjolle me një udhëtim në Kiev dhe shpresoj ta mbyll atë me hapjen e negociatave të pranimit me këtë vend, tani që raporti i Komisionit Evropian është i njohur”, tha Sanchez në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Më 8 nëntor, organi ekzekutiv i BE-së rekomandoi që Kievi të nisë bisedimet e anëtarësimit sapo të përmbushë kushtet përfundimtare të mbetura në lidhje me frenimin e korrupsionit, miratimin e një ligji për lobimin në përputhje me standardet e BE-së dhe forcimin e masave mbrojtëse të pakicave kombëtare.

Sanchez shtoi se ka ardhur koha që BE të hapë dyert dhe të integrojë Ukrainën, si dhe Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vendet e BE-së do të takohen më 14 dhe 15 dhjetor në një samit për të diskutuar kërkesën e anëtarësimit të Ukrainës, si dhe zgjerimin e mundshëm të bllokut për të përfshirë Gjeorgjinë, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më 11 dhjetor, Hungaria tha se nuk do t’i përkulej presionit nga anëtarët e tjerë të BE-së për të dhënë dritën jeshile për bisedimet e pranimit me Ukrainën.

Vendimi përfundimtar, si dhe paketa e 12-të e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022 kërkon mbështetjen unanime të të 27 vendeve të bllokut.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like