BRUKSEL – Pistorius: Në pritje të një vendimi të shpejtë për dërgimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 24 janar /ATSH-DPA/- Ministri i sapoemëruar gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha sot se ai pret një vendim të menjëhershëm për dorëzimin e tankeve luftarake “Leopard”, në Ukrainë.

“Unë pres të merret një vendim sa më shpejt”, tha ministri në Berlin gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Çështje të tilla si mirëmbajtja, riparimi dhe rifurnizimi i sistemeve të armëve pritet te shqyrtohen në rastin e një vendimi pozitiv, dhe atëherë do të jemi në gjendje të veprojmë shumë shpejt”, tha ai.

Ai nxiti vendet partnere që kanë tanke funksionale “Leopard” të fillojnë trajnimin e forcave ukrainase për përdorimin e tyre.

“Aty ku është e mundur dhe e dëshiruar, nuk ka fare pyetje, ne nuk jemi pengesë. Por ne mund ta bëjmë këtë vetëm pasi të jetë marrë vendimi se si do te veprohet me tanket “Leopard”, tha ai.

Ai kujtoi se Gjermania ishte ende një nga kontribueset më të mëdhaja të ndihmës për Ukrainën.

Stoltenberg bëri thirrje gjithashtu për dërgimin e shpejtë të armëve të reja në Ukrainë gjatë takimit, duke thënë:

“Ne duhet t’i ofrojmë Ukrainës sisteme më të rënda dhe më të avancuara, duke qenë se udhëheqësi rus nuk tregon asnjë shenjë për ndryshimin e objektivave të tij”, tha Stoltenberg duke bërë thirrje për dërgimin e shpejtë të armëve të reja në Ukrainë.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like