BRUKSEL – PE miraton reformën ambicioze të çmimit të karbonit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 22 qershor /ATSH-DPA/- Disa lloje biznesesh do të tregtojnë certifikatat e emetimeve në BE sipas një plani të miratuar sot nga Parlamenti Evropian, në një përpjekje për t’i bërë më të rrepta kontrollet ndaj gazrave që dëmtojnë klimën.

Si pjesë e sistemit të tregtimit të emetimeve të BE-së (ETS), disa industri duhet të paguajnë për të emetuar gazra që dëmtojnë klimën, si dioksidi i karbonit (CO2).

Sipas planeve të reja të reformës, sektorët në industrinë e ndërtimit dhe transportit do të renditen në ETS për herë të parë.

Në të njëjtën kohë, lejimet pa pagesë të emetimeve do të hiqen gradualisht nga viti 2027 dhe do të përfundojnë krejtësisht nga viti 2032.

“Vendimi i sotëm plenar është i mirë për klimën dhe i mirë për vendet e punës. Jam shumë i lehtësuar dhe i kënaqur që një shumicë e madhe tani po përmbush përgjegjësinë e saj”, tha Peter Liese, një ligjvënës konservator i BE-së dhe negociator kryesor për projektligjin.

Michael Bloss, një anëtar i Parlamentit Evropian i të Gjelbërve tha në Twitter se marrëveshja do të thotë se standardi minimal për mbrojtjen e klimës do të jetë i siguruar.

Projektplanet nuk janë miratuar ende nga vendet e BE-së, të cilat duhet të konsolidojnë pozicionin e tyre kolektiv të negociatave javën e ardhshme, përpara se të hyjnë në bisedime me legjislaturën e BE-së mbi detajet përfundimtare të reformës.

Gjithashtu, parlamenti i BE-së votoi sot në favor të një tarife të re importi për mallrat me emetim të lartë, të quajtur “Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit” dhe ngritjen e një fondi për të trajtuar varfërinë e energjisë dhe lëvizshmërisë. //a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like