BRUKSEL – Breton: Twitter-i të funksionojë sipas rregullave të BE-së

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 28 tetor /ATSH-DPA/-Twitter-i do të duhet të pajtohet me rregullat e reja të Bashkimit Evropian që trajtojnë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes në mediet sociale, deklaroi sot komisioneri i BE-së, Thierry Breton pas njoftimit të Elon Musk për blerjen rrjetit social.

“Në Evropë, zogu do të fluturojë sipas rregullave tona, të BE-së”, shkroi komisioneri  i Tregut të Brendshëm të BE-së, Breton në Twitter duke iu referuar logos së platformës së medias sociale.

Breton iu përgjigj një postimi në Twitter të Elon Musk ku shkruhej se “zogu është i lirë”, me të cilin ai njoftoi blerjen e rrjetit disa orë më parë.

Musk e ka justifikuar blerjen e tij duke përmendur nevojën për të mbrojtur dhe forcuar lirinë e fjalës, ndërsa kritikët kanë shprehur shqetësimin se ndryshimi i pronësisë, do të rezultojë në një përmbajtje më pak të moderuar që mund të nxisë gjuhën e urrejtjes.

Breton tha se ligji për Shërbimet Digjitale parashikonte rregulloren e fundit historike të bllokut, që përcakton përgjegjësitë për kompanitë e teknologjisë dhe internetit.

Sipas ligjit kompanitë do të duhet të moderojnë platformat e tyre për te shmangur përmbajtjet e dëmshme si dezinformimi, dhe të prezantojnë protokolle për të bllokuar përhapjen e materialeve të rrezikshme gjatë krizave si pandemia e Covid-19.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like