BRUKSEL – BE zgjat pezullimin e tarifave për eksportet në Ukrainë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 31 janar /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian njoftoi sot se ka planifikuar të zgjasë heqjen e kuotave dhe tarifave për eksportet ukrainase në Bashkimin Evropian deri në qershor 2025.

Ky vendim synon rivendosjen e një pezullimi të mëparshëm që do të përfundonte në qershor të vitit 2024, duke përfshirë shtimin e masave të caktuara emergjente, pas polemikave rreth eksporteve të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore në bllok vitin e kaluar.

Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Valdis Dombrovskis tha se pezullimi vendos ekuilibrin e duhur midis mbështetjes së Ukrainës kundër pushtimit rus dhe mbrojtjes së interesave të fermerëve të BE-së.

“Bazuar në rritjen e madhe të eksporteve nga Ukraina midis 2022 dhe 2023, pezullimi i tarifave përmban dispozita emergjente për të stabilizuar tregun e BE-së në rast të ndërprerjeve të mëdha”, tha komisioni.

Sipas krahut ekzekutiv të BE-së, nëse eksportet ukrainase rriten në mënyrë dramatike për produktet bujqësore si vezët, sheqeri dhe shpendët, tarifat mund të rivendosen për të stabilizuar importet në vëllimet mesatare të importeve në vitet 2022 dhe 2023.

Tarifat e BE-së u hoqën për herë të parë në vitin 2022 në shenjë solidariteti me Ukrainën.

Megjithatë, u vendosën kontrolle mbi produktet e grurit ukrainas të eksportuara në Bullgari, Hungari, Poloni, Sllovaki dhe Rumani, pas protestave të fermerëve në industrinë bujqësore vendase.

Këto kontrolle u hoqën përfundimisht në shtator, megjithatë Polonia, Hungaria dhe Sllovakia i ndaluan importet.

Një pezullim i ngjashëm i tarifave u prezantua për Moldavinë në vitin 2022.

Komisioni propozoi gjithashtu heqjen e tarifave sërish për Moldavinë deri në vitin 2025.

Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të BE-së pritet të shqyrtojnë propozimet.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like