BRUKSEL – BE sanksionon gjigantin rus të diamanteve “Alrosa”

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 3 janar /ATSH-ANSA/ – Këshilli i BE-së ka shtuar kompaninë “PJSC Alrosa” dhe CEO-n e saj, Pavel Alekseevich Marinychev në listën e zezë të individëve dhe subjekteve që i nënshtrohen masave kufizuese.

“PJSC Alrosa” është kompania më e madhe e minierave të diamanteve në botë, në pronësi të shtetit rus dhe përbën më shumë se 90% të të gjithë prodhimit rus të diamanteve.

“Kompania përbën një pjesë të rëndësishme të sektorit ekonomik që po siguron të ardhura të konsiderueshme për qeverinë e Federatës Ruse”, theksoi këshilli në një deklaratë.

“Këto masa plotësojnë ndalimin e importit të diamanteve ruse të përfshira në paketën e 12-të të sanksioneve ekonomike dhe individuale të miratuar më 18 dhjetor 2023 në kuadrin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, shtoi Këshilli.

Ndalimi i BE-së për diamantet ruse është pjesë e një përpjekjeje të G7 për të zhvilluar një ndalim të koordinuar ndërkombëtarisht të importit të diamanteve që synon të privojë Rusinë nga ky burim i rëndësishëm të ardhurash.

Në përgjithësi, masat kufizuese të BE-së kundër veprimeve që kërcënojnë ose minojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës tani zbatohen për pothuajse 1 950 persona dhe entitete.

Individët e përfshirë në listën e zezë do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndërsa qytetarëve dhe kompanive të BE-së u ndalohet të vënë fonde në dispozicion të tyre.

Personat fizikë i nënshtrohen edhe ndalimit të udhëtimit, i cili i pengon ata të hyjnë apo kalojnë tranzit në territoret e BE-së.

Aktet ligjore përkatëse, duke përfshirë emrat e personave dhe subjekteve të listuara, janë publikuar në Fletoren Zyrtare të BE-së./  /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like