BRUKSEL – BE: Paketa e investimeve do të thellojë lidhjet me Bashkimin Afrikan

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 19 shkurt /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian shpreson se paketa e investimeve prej 150 miliardë eurosh (172 miliardë dollarë) e prezantuar të premten me udhëheqësit e Bashkimit Afrikan mund të thellojë lidhjet me kontinentin dhe të shmangë interesat konkurruese nga Kina.

Duke vlerësuar rezultatin e samitit të Brukselit, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se ekzistonte “një frymë të re ambicioze” në marrëdhëniet midis BE-së dhe Bashkimit Afrikan.

Presidenti i Bashkimit Afrikan, Macky Sall tha se kjo ishte një mundësi historike për të parë bazën e një lloji të ri partneriteti midis BE-së dhe Afrikës.

Paketa synon të mobilizojë miliarda euro drejt projekteve në sektorët e energjisë, dixhitalizimit dhe transportit në Afrikë gjatë shtatë viteve të ardhshme përmes programit “Global Gateway” të BE-së, një rival i projektit masiv të Kinës për investime në infrastrukturën “Rruga e Re e Mëndafshit”.

Sidoqoftë, është e paqartë nëse financimi mund të përballojë sfidat me të cilat përballet Afrika.

Në fillim të samitit, Sall tha se kontinentit i duhen 130 deri në 170 miliardë dollarë investime në vit. Ai gjithashtu theksoi se rreth 600 milionë afrikanë janë pa energji elektrike.

Në të njëjtën kohë, fondet nuk janë mbledhur ende, dhe Komisioni Evropian nuk ka dhënë detaje për ndarjen e fondit.

Burimet e qeverisë gjermane thanë se 36 miliardë euro do të sigurohen nga buxheti i BE-së, 53 miliardë euro nga garancitë e kredisë dhe 20 miliardë euro do të kontribuohen nga vendet e BE-së. Pjesa e mbetur prej 49 miliardë eurosh do të sigurohet nga sektori privat.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like