BRUKSEL – BE njofton planet për të rritur prodhimin e municioneve

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 3 maj /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian njoftoi sot planet e tij për të ndihmuar në rritjen e prodhimit të municioneve në bllok përmes një fondi prej 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) në total.

Sipas një njoftimi për shtyp, nisma do të financohet me 500 milionë euro nga buxheti i përbashkët i bllokut.

Për më tepër, shteteve anëtare u bëhet thirrje që të mobilizojnë 1 miliardë euro në total për të bashkëfinancuar projekte që synojnë rritjen e prodhimit të municioneve ose rimontimin e municioneve të vjetra.

Propozimi është pjesë e një marrëveshjeje të arritur në mars nga ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së për dërgimin e 1 milion predhave në Ukrainë brenda një viti.

Sipas marrëveshjes, shteteve anëtare u kërkohet të sigurojnë municione nga rezervat ekzistuese dhe të blejnë së bashku predha të reja artilerie për Kievin, me një total të planifikuar prej 2 miliardë euro.

“Për të mbështetur Ukrainën, industria e mbrojtjes e BE-së duhet të riforcohet dhe të përshtatet me konfliktin e vazhdueshëm me intensitet të lartë”, tha komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton.

“Kapacitetet aktuale të prodhimit duhet të përmirësohen, të krijohen vende të reja prodhimi dhe të monitorohen dhe adresohen pengesat në zinxhirët e furnizimit”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Breton tha se nisma, e cila është planifikuar të përfundojë në qershor 2025, është e paprecedentë.

“Kam besim se brenda 12 muajve do të jemi në gjendje të rrisim kapacitetin tonë të prodhimit në 1 milion raunde në vit në Evropë”, shtoi ai.

Breton tha se ai shpreson se ligji përfundimtar mund të negociohet dhe miratohet para verës.

“Ambasadorët e BE-së ranë dakord sot edhe për kushtet për blerjet e përbashkëta të municioneve për Ukrainën”, tha presidenca suedeze e rradhës së BE-së në Twitter.

Kompromisi synon zhbllokimin e fondeve me vlerë deri në 1 miliard euro për rimbursimin e pjesshëm të porosive të përbashkëta të predhave.

“Municionet dhe raketat e blera së bashku do të kenë të drejtë të rimbursohen edhe nëse jo të gjitha pjesët janë prodhuar në Bashkimin Evropian ose Norvegji”, sipas diplomatëve të BE-së.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like