BRUKSEL – BE do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 18 janar /ATSH-DPA/ – Bashkimi Europian dëshiron të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Iranit për shkak të shkeljeve të vazhdueshme serioze të të drejtave të njeriut në vend, përfshirë ekzekutimet e fundit të protestuesve.

Diplomatët konfirmuan se përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së ranë dakord njëzëri për masat në Bruksel. Ato do të miratohen zyrtarisht në një takim të ministrave të Jashtëm të hënën e ardhshme.

Sipas diplomatëve, sanksionet e reja do të prekin rreth tre duzina njerëz dhe organizata të përfshira në shtypjen brutale të protestave. Masat ndëshkuese të parashikuara përfshijnë një ngrirje të aseteve në BE dhe vendosjen e ndalimeve të hyrjes.

Në raundin e mëparshëm të sanksioneve, të shpallur në dhjetor, BE synoi 20 persona dhe transmetuesin shtetëror IRIB.

Ky i fundit akuzohet nga BE se është përfshirë aktivisht në organizimin dhe përhapjen e “rrëfimeve” të kritikëve të regjimit të detyruar me frikësim dhe dhunë të rëndë.

Në mesin e të përfshirëve në atë kohë ishin komandantët e Gardës Revolucionare iraniane.

Sipas ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock, ata janë gjithashtu përgjegjës për ekzekutimet.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like