Brdariç: I shkaktojmë humbjen e radhës Dinamos dhe afrohemi me kreun

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të transfertës ndaj Dinamos në “Elbasan Arena” dhe deklaroi se synimi i shkodranëve është që t’u shkaktojnë humbjen e radhës kryeqytetasve dhe të marrin një tjetër fitore që i afron më shumë me kreun.

Duke parë gjendjen e Dinamos, a vjen kjo sfidë në kohën e duhur për Vllazninë?
Do të jetë një ndeshje e veçantë. Të gjithë e shohin që Dinamo është në një moment jo të mirë, por për mua nuk ka rëndësi gjendja e kundërshtarit, pasi e di se çfarë janë të aftë të bëjnë ata me cilësitë që kanë. Ne duhet të jemi të gatshëm që të paraqitemi sa më mirë dhe të shkojmë për të marrë maksimumin.

A ju ka ndihmuar moti për ta përgatitur sa më mirë këtë ndeshje?
Koha ka qenë e mirë. në të kaluarën nuk kemi pasur kushtet më të mira për të punuar. Është më e rehatshme që të punojmë me diell, apo në stadiumin tonë. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe besoj se jemi gati për ndeshjen e radhës.

Cili është objektivi i Vllaznisë për këtë sfidë?
Dinamo është një skuadër që ka lojtarë me shumë eksperiencë. Ndoshta fakti që ata pas kaq shumë muajsh nuk e kanë gjetur veten mund të krijojë një avantazh për ne. Por për ne mbetet ajo që thashë, nuk duhet të jemi të frikësuar për këtë përballje, duhet të shkojmë t’i shkaktojmë humbjen e radhës Dinamos dhe të marrim tre pikët në shtëpi.

A e shihni si një rast të mirë për tu afruar edhe më shumë me kreun?
Do kërkojmë që të zvogëlojmë diferencën me dy ekipet që janë para nesh në renditje Tirana ka një ndeshje të vështirë me Teutën, ndërsa Kukësi do luajë ndaj Partizanit. Do përqendrohemi të bëjmë më të mirën ne vetë si Vllazni dhe më pas do të shohim rezultatet e ndeshjeve të tjera. Do mundohemi të bëjmë maksimumin tonë. Këto ndeshjet e fundit kanë qenë të vështira, pasi kemi qenë me një lojtar më pak në dy prej tyre. Lojtarët kanë qenë disi të lodhur, por ne do mundohemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë”.


Top Channel

You may also like