BRAZIL – Vdes legjenda e futbollit, Mario Zagallo

by admin
Spread the love

RIO DE ZHANEIRO, 6 janar /ATSH-AFP/ – Mario Zagallo, legjenda e futbollit brazilian dhe katër herë kampion bote, si lojtar dhe më pas si trajner, vdiq dje në moshën 92-vjeçare.

”Me pikëllim të madh ju informojmë për ndarjen nga jeta të kampionit tonë të përjetshëm katër herë botëror, Mário Jorge Lobo Zagallo”, thuhet në një deklaratë të shkurtër në Instagramin e tij.

“Një baba i përkushtuar, një gjysh i dashur, një vjehërr i kujdesshëm, një mik besnik, një profesionist i suksesshëm dhe një qenie njerëzore e shkëlqyer. Një idhull i madh. Një patriot që na ka lënë një trashëgimi arritjesh të mëdha”, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Zagallo, i cili mori pjesë në katër nga pesë Kupat e Botës të Brazilit – dy tituj si lojtar dhe dy si trajner dhe ndihmës trajner – u shtrua në spital në gusht në Rio de Zhaneiro për një infeksion urinar.

Por, ish-lojtari i Seleçaos së fundmi kishte pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.

Pas vdekjes së Pelé në dhjetor 2022, ai u shtrua në spital për gati dy javë me një infeksion të frymëmarrjes.

Si anësor i majtë, Zagallo ishte pjesë e ekipit brazilian që fitoi Kupat e Botës 1958 dhe 1962, me ”mbretin” Pelé, dy të parat e fituara nga Brazili.

Ai ishte gjithashtu trajner i Brazilit kur ata fituan titullin suprem në 1970, ndihmës trajner gjatë triumfit të Seleçao në 1994 dhe trajner në 1998 kur Brazili humbi finalen nga Franca.

Dy sportistët e tjerë të vetëm që kanë fituar Kupën e Botës si lojtar dhe trajner janë gjermani Franz Beckenbauer (1974 dhe 1990) dhe francezi Didier Deschamps (1998 dhe 2018).

Presidenti i Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF), Ednaldo Rodrigues, shpalli zi zyrtare shtatëditore për vdekjen e Zagallos./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like