BRAZIL – Mbështetësit e Bolsonaros sulmojnë Kongresin dhe Gjykatën Supreme

by admin
Spread the love

BUENOS AIRES, 8 janar /ATSH-DPA/ – Mbështetësit e ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, të cilët refuzojnë të besojnë se ai humbi zgjedhjet e vitit të kaluar sulmuan ndërtesën e Kongresit Kombëtar dhe objektet e tjera qeveritare në kryeqytetin Brazília, sot pasdite vonë.

”Ata thyen xhamat në fasadën e ndërtesës së Kongresit dhe hynë në holl”, siç tregohet në kanalin televiziv ”Globo”.

Qindra protestues kishin avancuar më parë në ambientet e parlamentit dhe arritën në çatinë e ndërtesës.

Policia përdori sprej piper dhe granata trullosëse, por nuk ishte në gjendje të ndalonte mbështetësit e ish-udhëheqësit të ekstremit të djathtë.

“I dënoj këto akte antidemokratike, të cilat duhet të ndëshkohen urgjentisht me ashpërsinë e ligjit”, shkroi presidenti i Senatit Rodrigo Pacheco në Twitter.

“Kam folur në telefon me guvernatorin e Qarkut Federal, Ibaneis Rocha, me të cilin jam në kontakt të vazhdueshëm. Guvernatori më informoi se i gjithë aparati i policisë është i fokusuar për të vënë situatën nën kontroll”, shtoi ai.

Pas sulmit ndaj Kongresit, mbështetësit e Bolsonaros u zhvendosën gjithashtu në Gjykatën e Lartë.

”Aty kanë thyer xhamat dhe janë futur në holl”, raporton portali i lajmeve G1.

Më vonë, ata u zhvendosën gjithashtu në Palácio do Planalto, zyra zyrtare e presidentit.

Bolsonaro humbi ndaj politikanit të krahut të majtë Luiz Inácio Lula da Silva në balotazhin e zgjedhjeve tetorin e kaluar dhe u largua nga posti në fund të vitit.

Ai kurrë nuk e kishte pranuar në mënyrë eksplicite humbjen e tij zgjedhore.

Mbështetësit radikal kishin protestuar në mënyrë të përsëritur kundër fitores së Lulës pas zgjedhjeve dhe u bënë thirrje forcave të armatosura të vendit të bëjnë një grusht shteti ushtarak.

Ndryshe nga zakoni, Bolsonaro nuk mori pjesë në betimin e pasardhësit të tij Lula në ditën e Vitit të Ri dhe fluturoi për në SHBA me familjen e tij./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like