Borrell pret në darkë joformale liderët e Ballkanit Perëndimor, Kosova përfaqësohet nga Gërvalla

by admin
Spread the love

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të organizojë një darkë joformale me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj.

Tradita e mbajtjes së një darke të tillë
joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila
takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të
ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

Këtë vit, sipas njoftimit, çështja e sigurisë
në Evropë do të jetë në krye të agjendës në dritë të pushtimit të paprovokuar
rus të Ukrainës.

Pjesëmarrja në darkën në Bruksel e kanë
konfirmuar: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla,
presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,
presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së
Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e
Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Kosova përfaqësohet në këtë darkë joformale me
kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe
kryeministri Albin Kurti, gjenden në vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Para darkës joformale, të gjithë pjesëmarrësit
do të zhvillojnë bisedime të shkurtra dypalëshe me shefin e diplomacisë së
bllokut evropian, Josep Borrell.

You may also like