BM – Sunak dhe Truss kundër referendumit për pavarësinë e Skocisë

by admin
Spread the love

LONDËR, 18 gusht /ATSH-AA/ – Kandidatët për kryetar të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, Rishi Sunak dhe Liz Truss përjashtuan mundësinë e mbajtjes së referendumit të dytë për pavarësinë e Skocisë, nëse marrin postin e kryeministrit.

Ata iu përgjigjën pyetjeve të një gazetari skocez si dhe audiencës, e cila përbëhej nga anëtarë të partisë.

“Nëse zgjidhem kryeministër, nuk do të lejoj një referendum tjetër për pavarësinë”, tha Truss.

Ajo shtoi se referendumi i vitit 2014 ishte një ngjarje që bëhet një herë në jetë dhe se në vend që të shqetësohet për një referendum tjetër, kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon duhet të merret me “çështjet e rëndësishme në Skoci”.

“Unë e konsideroj veten një fëmijë të unionit dhe për mua, ne nuk jemi vetëm fqinjë, ne jemi familje. Unë kurrë nuk do të lejoj që familja jonë të ndahet”, tha Truss.

Lidhur me çështjen e referendumit të dytë, Sunak tha se “nuk mund të imagjinoj rrethanat në të cilat do ta pranoja”.

“Ne jetojmë në një union i cili sigurisht është me pëlqim dhe me demokraci dhe unë e pranoj këtë. Por, unë thjesht nuk mendoj se dikush mendon se tani ose në çfarëdo kohe në të ardhmen e afërt do të jetë momenti për t’iu përkushtuar kësaj”, tha ai.

“Sa i përket Nicola Sturgeon, dua të kërkoj llogari nga qeveria e SNP-së (Partia Kombëtare Skoceze) për atë se çka po bën dhe çka po u ofron njerëzve në Skoci. Por, më e rëndësishmja, unë dua të ballafaqohem me të dhe ta fitoj në debat për unionin sepse besoj me pasion në të dhe është një debat të cilin mendoj se mund ta fitojmë”, tha Sunak.

Anëtarët e Partisë Konservatore në pushtet në Britaninë e Madhe aktualisht janë duke votuar për zgjedhjen e liderit të tyre të ardhshëm, i cili do të bëhet gjithashtu kryeministri i ardhshëm i vendit.

Truss kryeson në sondazhet e brendshme të anëtarëve të Partisë Konservatore, megjithëse Sunak kryesoi në fazën e parë të garës me deputetët e Partisë Konservatore.

Kreu i ri i Partisë Konservatore dhe njëkohësisht kryeministri i ri do të shpallet më 5 shtator./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like