BM – Johnson i bën thirrje popullit rus të refuzojë luftën e Putinit në Ukrainë

by admin
Spread the love

LONDËR, 5 prill /ATSH-DPA/ Kryeministri britanik Boris Johnson i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë popullit rus që të refuzojë luftën e presidentit Vladimir Putin në Ukrainë.

Përmes një videomesazhi të postuar në internet, kryeministri Johnson i përshkroi mizoritë e kryera nga trupat ruse si një “njollë” për nderin e vendit.

Ai u bëri thirrje rusëve që t’i përballojnë me sukses kontrollet e Putinit në media duke zbuluar të vërtetën e asaj që po ndodh nga mediet e pavarura të lajmeve në internet.

Thirrja e tij erdhi pasi Kremlini pretendoi se imazhet e civilëve që thuhet se ishin vrarë nga ushtarët rusë në qytetin e Bucha ishin “lajme të rreme” dhe që ishin inskenuar nga vetë ukrainasit.

Në mesazhin e tij, Johnson tha se raportet ishin aq tronditëse sa Putin kishte kërkuar qëllimisht të fshihte të vërtetën nga populli i tij.

Johnson tha se rusëve u nevojitej vetëm një lidhje VPN për të hyrë në informacione të pavarura nga e gjithë bota.

“Kur të gjeni të vërtetën, ndajeni atë”, tha ai.

“Ata që janë përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi. Dhe historia do të kujtojë se kush i injoroi qëllimisht këto krime”, shtoi ai.

“Presidenti juaj akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës. Por nuk besoj se ai po vepron në emrin tuaj”, tha ai në rusisht.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like