Bllokimi i trafikut, betejë ligjore mes Nju Xhersi dhe Nju Jorkut – Shqip

by admin
Spread the love

Një përpjekje e zyrtarëve të qytetit të Nju Jorkut për të reduktuar bllokimin e rrugëve nga trafiku si dhe emetimin e dioksidit të karbonit nga automjetet ka krijuar tension me shtetin fqinj, Nju Xhersin. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Nina Vishneva sjell më shumë detaje rreth tarifës së re që pritet të vendoset e që mund të hyjë në fuqi në pranverën e vitit të ardhshëm.

Qyteti i Nju Jorkut planifikon t’u vendosë një tarifë deri në 23 dollarë në ditë shoferëve që hyjnë në qendër të Manhatanit, me synimin për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të përmirësuar bllokimin e rrugëve nga trafiku.

Kjo nuk është një ide e re. Në vitin 2007, kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut Michael Bloomberg, propozoi që drejtuesit e automjeteve të paguanin një tarifë prej 8 dollarësh nëse kalonin në qendër të qytetit gjatë orëve të pikut të lëvizjeve. Plani u rrëzua në Asamblenë e këtij shteti.

Më pas, në vitin 2019, Kryebashkiaku Bill de Blasio dhe Guvernatori Mario Cuomo mbështetën idenë për vendosjen e tarifave për ata drejtues automjetesh që hynin në qytet, me synimin për të shmangur trafikun në Manhattan dhe për të mbledhur miliarda dollarë në të ardhura në vit, për të ndihmuar në modernizimin e sistemit të transportit publik të qytetit. Por përplasjet burokratike e bënë të pamundur miratimin e këtij plani.

Shtetet duhet të marrin leje për të vendosur tarifa për përdorimin e rrugëve të ndërtuara me fonde federale. Dhe vëmendja ndaj një plani të tillë u zvenit gjatë pandemisë së COVID-19 dhe administratës Trump.

Por propozimi u ringjall gjatë administratës së Presidentit Biden. Në qershor, Nju Jorku siguroi lejen nga qeveria federale, për vendosjen e tarifave për drejtuesit e automjeteve.

“Bllokimi i trafikut, është një problem i madh dhe zgjidhja e kësaj çështjeje do të jetë në të mirë të ekonomisë dhe në fund të fundit edhe për drejtuesit e automjeteve që paguajnë, sepse ata do të jenë në gjendje të arrijnë në qendër të qytetit dhe të udhëtojnë brenda tij shumë më shpejt”, thotë Carl Weisbrod, Kryetar i Bordit të Rishikimit të Lëvizshmërisë së Trafikut.

Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë vendim. Javën e kaluar shteti i Nju Xhersit paditi Administratën Federale të Autostradave, e cila shqyrtoi dhe miratoi propozimin e qytetit të Nju Jorkut. Në padi thuhet se të gjithë drejtuesit e automjeve do të përfundojnë në Nju Xhersi, duke dëmtuar mjedisin e qytetit dhe duke marrë para nga xhepat e qindra mijëra banorëve të Nju Xhersit, që udhëtojnë për në Manhatan për punë çdo ditë.

Kundër planit të ri janë edhe shoferët e taksive.

“Kjo do ta dëmtojë shumë biznesin. Është turp që po na bëjnë një gjë të tillë. Ne jemi pjesë e departamentit, ne transportojmë njerëz dhe gjithçka! Unë nuk mendoj se ata kanë ndonjë respekt për ne…”, thotë Christopher Garcia, shofer taksie.

“Nuk është faji ynë dhe ne po kërkojmë që të përjashtohemi. Nuk është se kemi ardhur këtu për të shijuar qytetin. Ne i transportojmë njerëzit nga një vend në tjetrin. Shoferët nuk mund të përballojnë një tjetër taksë. Është e paligjshme. Ne e paguajmë një taksë, ndërkohë nuk mund të taksohemi dy herë!”, thotë Anvar Malik, shofer taksie.

“Ne nuk jemi kundër tarifës së mbingarkesës në trafik, sepse e kuptojmë se duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Qyteti duhet të ecë përpara. Por tarifa është shumë e lartë, 23 dollarë janë shumë, që nuk mund t’i paguajmë”, thotë Pedro Acosta, shofer taksie.

Kostoja që do të paguajnë drejtuesit e automjeve, është ende në diskutim, ajo mund të variojë nga 9 deri në 23 dollarë. Tarifa që synon të shmangë trafikun e rënduar mund të hyjë në fuqi, që në pranverën e vitit 2024./VOA

You may also like