Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot pasdite në Shkup ka takuar sekretarin e shtetit të SHBA-së Antony Blinken.
Në takim, Kovaçevski dhe Blinken edhe një herë theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe diskutuan për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Maqedonisë së Veriut në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e reformave të nevojshme.
Në takim, kryeministri Kovaçevski vlerësoi se të dy vendet në vazhdimësi po kultivojnë një dialog politik produktiv, i cili është thelluar dukshëm përmes partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
Kovaçevski dhe Blinken shprehën kënaqësinë e ndërsjellë për fillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, i cili pritet të thellojë marrëdhëniet miqësore, të përmirësojë format reciproke politike, ekonomike dhe format e tjera të dialogut, lidhjet arsimore dhe kulturore të dy vendeve.