Blinken mbërrin në Izrael, në fokus minimizimi i dëmit ndaj civilëve në Gaza – Shqip

by admin
Spread the love

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Izrael, ku pritet të zhvillojë diskutime me qeverinë izraelite. Kjo është vizita e dytë e Blinken në Izrael që kur Hamasi nisi një seri sulmesh më 7 Tetor dhe Izraeli filloi ofensivën hakmarrëse në Gaza.

Udhëtimi i tij do të ketë në fokus mbrojtjen e civilëve që Rripin e Gazës. Para se të nisej për në Izrael, Blinken u shpreh se do të kërkonte masa konkrete nga Izreali për të siguruar që dëmtimi i civilëve palestinezë të minimizohej.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u shpreh se Blinken do ta nënvizojë mbështetjen e administratës Biden për të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, por, gjithashtu, do ta theksojë rëndësinë e minimizimit të viktimave civile dhe të garantimit se ndihmat humanitare arrijnë tek palestinezët e pafajshëm në Gazë.

Sipas Miller, sigurimi i lirimit të qindra pengjeve që po mbahen nga grupi i Hamasit në Gazë, lehtësimi i kalimit të palestinezëve me pasaporta të huaja dhe të huajve nga Gaza në Egjipt, si dhe parandalimi i shpërthimit të një lufte më të gjerë rajonale, do të jenë çështje kyçe në axhendën e Blinkenit.

Më herët, Presidenti i SHBA, Joe Biden bëri thirrje për pauza humanitare në konflikt.

Vizita e Blinkenit në shtetin izraelit vjen pasi Izraeli deklaroi të enjten në mbrëmje se ushtria e tij kishte rrethuar plotësisht qytetin e Gazës dhe ishte duke u përfshirë në beteja ballë për ballë me luftëtarët e Hamasit./tvklan.al

You may also like