Bislimi merr pjesë në seancën e një komisioni në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin e Italisë

by admin
Spread the love

Në kuadër të një vizite zyrtare në Romë, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ditën e djeshme mori pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit për Politika të Jashtme në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin e Italisë.

Bislimi u prit në takime të ndara, fillimisht nga kryetari i këtij komisioni, Piero Fassino dhe pastaj nga disa anëtarë të Komisionit Parlamentar dhe anëtarë të grupit të miqësisë Itali-Kosovë.

Fillimisht ai falënderoi shtetin italian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe rrugëtimin e konsolidimit të shtetit të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë. Ai u shpreh se Qeveria e Kosovës po punon dhe angazhohet maksimalisht në plotësimin e kushteve dhe reformave të nevojshme për avancime të mëtejshme në agjendën evropiane.

Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi objektiva të rëndësishme të qeverisë, siç janë marrja e statusit kandidat për anëtarësim në BE, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe nevoja për liberalizimin e vizave për Kosovën, pas përmbushjes së kritereve të parashikuara.

“Në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me BE-në, Kosova ecën në rrugën drejt integrimit evropian, duke përmbushur pjesën e saj të reformave dhe agjendës evropiane”, tha ai.

Bislimi kur foli për dialogun tha se “Kosova angazhohet në qasje konstruktive në dialogun me Serbinë, përmbajtjes së standardeve dhe praktikave më të mira evropiane në arritje të marrëveshjeve në kuadër të çështjeve të ndryshme si dhe në dialogim që si parim ka njohjen në qendër dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”.

 

 

You may also like