Biden i nënshtrohet kontrolleve, mjeku: I aftë për detyrën, 81-vjeçar i shëndetshëm!

by admin
Spread the love

Pas kontrollit të zakonshëm, mjeku që ndjek situatën shëndetësore të presidenti amerikan Joe Biden pohoi se ai vazhdon “ të jetë i aftë për të kryer detyrën”.

Dr. Kevin O’Connor, mjeku i Presidentit Biden, shkruan se presidenti po përshtatet më së miri me një pajisje që e ndihmon atë të kontrollojë çrregullimet e gjumit dhe se ka përjetuar disa shqetësime në ije por ai gjithashtu zhvillon ushtrime fizike pesë ditë në javë. “Presidenti Biden është një mashkull 81-vjeçar i shëndetshëm, aktiv dhe i fuqishëm, i cili vazhdon të jetë i aftë për të realizuar me sukses funksionet e presidencës”, shkruan mjeku O’Connor në një dokument prej gjashtë faqesh mbi shëndetin e presidentit. Kontrolli mjekësor i Presidenti Biden në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed zgjati më shumë se dy orë e gjysmë. Mjeku pohon se shefi i Shtëpisë së Bardhë  “ndihet mirë dhe se vizita mjekësore e këtij viti nuk identifikon shqetësime të reja”.

Joe Biden kërkon një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, por votues në të gjithë spektrin politik janë gjithmonë e më të shqetësuar për aftësitë mendore dhe fizike të presidentit më të moshuar që Amerika ka pasur ndonjëherë. Këto shqetësime janë shtuar pas një serie gafash të njëpasnjëshme të presidentit, përfshirë ngatërresën e presidentëve të Meksikës e Egjiptit, si dhe raportit të një këshilltari të posaçëm i cili e përkufizonte si një “person të moshuar me kujtesë të dobët”.

Një sondazh i fundit i NBC-së tregoi se 76 për qind e votuesve ishin të shqetësuar për moshën e Bidenit. Ai do të jetë 86 vjeç nëse siguron rizgjedhjen dhe përfundon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.


Top Channel

You may also like