Biden do t’i vendosë veton një projektligji të veçantë për ndihma për Izraelin

by admin
Spread the love

Administrata e presidentit Joe Biden tha të hënën se ai do t’i vendoste veton një propozimi për ndihmë për Izraelin, po jo për Ukrainën.

Reagimi i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin i referohet propozimit për një projektligji të veçantë të mbështetur nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që do të ofronte ndihmë për Izraelin.

Një projektligj më i gjerë ofron ndihmë për Ukrainën dhe Izraelin dhe siguron fonde të reja për sigurinë kufitare.

“Administrata inkurajon me forcë të dyja dhomat e Kongresit që ta refuzojnë këtë manovër politike dhe të dërgojnë me shpejtësi për nënshkrim Ligjin për Buxhetin Shtesë për Emergjenca të Sigurisë Kombëtare”, tha kjo zyrë.

Zyrtarët e administratës së presidentit demokrat po punojnë prej muajsh me demokratët dhe republikanët e Senatit mbi një paketë të bërë të njohur të dielën, që i lidh ndihmat urgjente prej miliarda dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe partnerët e SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor, me ndryshime të politikës së emigracionit.

Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve thanë para disa ditësh se ata do ta refuzonin projektligjin dypartiak të Senatit dhe në vend të tij, do të votonin për një projektligj që ofron ndihmë vetëm për Izraelin.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane miratoi një projekt-ligj vetëm për Izraelin në nëntor, por ai nuk u miratua në Senatin e udhëhequr nga Demokratët, pasi anëtarët e tij po punonin mbi kërkesën e zotit Biden që Kongresi të miratonte paketën më të gjerë të sigurisë. /VOA


Top Channel

You may also like