Besimi: Sigurohen 90 milionë euro përkrahje për politikat buxhetore

by admin
Spread the love

 Ministria e Financave siguroi 90 milionë euro nga Banka Zhvillimore KfV për përkrahjen e politikave buxhetore për ballafaqimin me sfidat e krizës. Marrëveshjen e huasë nga Banka KfV për t’i pasur në dispozicion këto 90 milionë euro, sot e nënshkruan ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtori i KfV-së për RMV-në dhe Kosovën, Moric Reme.

“Sot nënshkruam marrëveshjen me Bankën KfV për shfrytëzimin e 90 milionë eurove, me të cilat Qeveria do të përballet me pasojat e krizës, do ta përmirësojë gjendjen e jashtme financiare dhe do t’i zbatojë reformat strukturore. Kjo është pjesë e mjeteve financiare që u siguruan nga Qeveria dhe Ministria e Financave me kushte të favorshme, sa i përket tejkalimit të krizës dhe përkrahjes së qytetarëve, si dhe ekonomisë, me qëllim të rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të saj. Njëkohësisht, kjo ishte pjesë e përpjekjeve për sigurimin e këtyre mjeteve me kosto më të ulët, me qëllim që të mos ngarkojmë gjeneratat e ardhshme”, theksoi ministri Besimi.

Ai  falenderoi Bankën KfW për aprovimin e këtyre mjeteve financiare dhe potencoi se këto mjete konfirmojnë përpjekjet e Qeverisë për ristrukturimin dhe dekarbonizimin e sektorit energjetik vendor si dhe sigurimin e furnizimit të sigurt dhe stabil të amvisërive dhe kompanive me energji elektrike.

 “Edhe në kohë krize, mundësuam që me burimet në dispozicion dhe modelin që zbatuam të sigurojmë furnizim të energjisë elektrike në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjitha amvisëritë dhe kompanitë në vend. Vijojmë me politikat e orientuara drejt rritjes së prodhimit të brendshëm dhe diversifikimit të burimeve të energjisë, ku jemi të orientuar drejt dekarbonizimit të sektorit energjetik vendor përmes investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë, me ç’rast në këtë mënyrë do të mbrohet edhe mjedisi jetësor”, theksoi ministri.

Reme tha qëllimi i kësaj huaje është të përkrahet Republika e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e saj për tranzicionin energjetik dhe në arritjen e qëllimit ambicioz në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për reduktimin e gazrave serrë për 82% krahasuar me nivelin e referuar të vitit 1990.

“Në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Partneritetit klimatik me vendet e Ballkanit Perëndimor, KfW-ja përkrah Republikën e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e saj për gjelbërimin e kapaciteteve të saj energjetike dhe për të rritjen e efikasitetit energjetik. Në sektorin energjetik, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, KfW-ja financon parqet me erë, termocentralet fotovoltaike, sistemet e qëndrueshme të ngrohjes qendrore, rehabilitimin e hidrocentraleve të mëdha dhe modernizimin e konvikteve studentore. Portofoli i KfW-së në Maqedoni në sektorin energjetik arrin në 227 milionë euro me 210 milionë euro shtesë për projekte investuese që janë në përgatitje”, theksoi Reme.

Huaja e Bankës Zhvillimore KfV do të tërhiqet në një transhe, e cila pritet të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti.

Kjo është pjesë e pakos më të gjerë të ofruar nga Qeveria për ballafaqimin me krizën, e cila përfshin 100 milionë euro nga BE-ja, si dhe 50 milionë euro për politikat zhvillimore nga Banka Botërore.

MARKETING



You may also like