BERLIN – “Transparency International”: Vendet nordike më pak të korruptuara në botë

by admin
Spread the love

BERLIN, 30 janar /ATSH-DPA/ – Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re dhe Norvegjia janë vendet më pak të korruptuara në botë, sipas “Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit” të publikuar sot nga organizata “Transparency International”.

Gjermania mbetet në vendin e nëntë në renditje, e cila bazohet në vlerësimet e drejtuesve, ekspertëve dhe institucioneve.

Në fund të listës janë renditur vendet e rrënuara nga kriza si Siria, Venezuela dhe Somalia.

“Aty ku sundimi i ligjit, media e pavarur dhe grupet e shoqërisë civile janë dobësuar, korrupsioni lulëzon”, tha Alexandra Herzog, drejtuese e “Transparency International”.

Raporti iu referua si shembull Hungarisë, e cila nën drejtimin e Viktor Orban ka zbritur në vendin e 76-të në renditje, më e keqja e çdo vendi të Bashkimit Evropian.

“Përgjegjësia e dobët dhe korrupsioni politik po minojnë sundimin e ligjit në një rajon ku njerëzit po humbasin besimin në institucionet e tyre”, tha organizata.

Në rastet më alarmante, grupet e ngushta të interesit kanë shumë kontroll mbi vendimmarrjen politike.

Ndër të tjera, qeveritë shënjestrojnë gazetarët, sinjalizuesit dhe vëzhguesit e tjerë.

Si rajon, Afrika Sub-Sahariane shënoi pikën më të ulët në renditje, pavarësisht përmirësimeve në disa vende.

Indeksi vjetor i Perceptimit të Korrupsionit përmbledh të dhëna dhe gjetje nga 12 institucione të pavarura që janë të specializuara në analizën e qeverisjes dhe klimës së biznesit.

Burimet përfshijnë studime dhe sondazhe nga Fondacioni gjerman “Bertelsmann”, Banka Afrikane e Zhvillimit dhe Forumi Ekonomik Botëror.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like