BERLIN – Stoltenberg: Afria e Erdoganit me Hamasin asnjë problem për NATO-n

by admin
Spread the love

BERLIN, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk sheh asnjë problem për aleancën ushtarake në shprehjet e mbështetjes së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për lëvizjen islamike Hamas, e cila aktualisht është në luftë me Izraelin.

“Nuk është kurrë e lehtë kur kemi pikëpamje të ndryshme brenda aleancës”, tha Stoltenberg në një intervistë për DPA-në.

Kreu i aleancës perëndimore të mbrojtjes shtoi megjithatë se kjo “nuk ndikon në një farë mënyre atë që ne bëjmë ose nuk bëjmë, sepse ne nuk po luajmë një rol në atë konflikt specifik”.

Pas sulmit brutal terrorist nga Hamasi dhe grupet e tjera ndaj komuniteteve izraelite pranë Gazës, i cili la më shumë se 1400 të vdekur, Erdogan e përshkroi Hamasin si një “grup çlirimtar”.

SHBA dhe Bashkimi Evropian, të cilat janë aleate me Turqinë përmes NATO-s, e klasifikojnë Hamasin si një organizatë terroriste.

Si pasojë e luftës në Gaza, Erdogan ka ndërprerë kontaktet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

”Netanyahu nuk është më një bashkëbisedues për ne në asnjë kuptim”, tha ai.

Presidenti turk e ka etiketuar më parë Izraelin një “shtet terrorist” për shkak të trajtimit të tij ndaj palestinezëve dhe vazhdimisht e ka paraqitur veten si një kampion të çështjes palestineze.

Ai e ka kritikuar Izraelin për mbi 10 000 vdekje në Gaza për shkak të bombardimeve të Izraelit që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.

Vështirë se ka pasur ndonjë kritikë të hapur për qëndrimin e Erdoganit nga aleatët e NATO-s, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili pritet të presë Erdoganin në Berlin javën e ardhshme.

Stoltenberg hodhi poshtë spekulimet se heshtja e anëtarëve të NATO-s mund të lidhet me ratifikimin në pritje të Turqisë të pranimit të Suedisë në aleancë.

“Këto janë dy çështje shumë të ndara”, tha ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like